Është rritur në 21 numri i personave që kanë humbur jetën në Ugandë për shkak të epidemisë Ebola.

Emmanuel Ainebyoona, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë njoftoi se në Ugandë është regjistruar rritje në numrin e vdekjeve nga Ebola.

Ai tha se për shkak të Ebolës deri më tani kanë humbur jetën 21 persona dhe se numri i rasteve është rritur në 34.

Në kryeqytetin Kampala nuk janë regjistruar ende raste, tha Ainebyoona, duke theksuar se rastet e fundit janë konstatuar në rajonet Kassanda dhe Kyegegwa.

Më 19 shtator tek një person 24 vjeçar në vend u përcaktua virusi Ebola për të cilin thuhet se ishte varianti sudanez dhe i cili vërehet rrallë.

Është bërë e ditur se qendra e përhapjes së virusit ka qenë rajoni Mubende i cili ndodhet mbi autostradën që shkon nga Republika Demokratike e Kongos për në Kampala.

Virusi në fillim të vitit 2000 shkaktoi vdekjen e qindra njerëzve në Ugandë dhe së fundmi ai shkaktoi vdekjen e 17 personave në vitin 2012.

Ebola e cila shkakton një lloj ethe hemorragjike, për herë të parë u shfaq në mënyrë të njëkohshme në vitin 1976 në qytetet Nzara të Sudanit dhe në Yambuku në Republikën Demokratike të Kongos. Në Republikën Demokratike të Kongos epidemia u emërtua me emrin lumit Ebola për shkak se sëmundja filloi në një fshat në afërsi të lumit.

Ebola u përhap në Afrikën Perëndimore në dhjetor 2013. Në epideminë e shfaqur gjatë viteve 2014-2017 në Guine, Liberi dhe Sierra Leone u infektuan 30 mijë njerëz me virusin dhe mbi 11 mijë prej të sëmurëve humbën jetën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb