Një lajm i mirë për astronautët, në Hënë ka edhe më shumë ujë nga sa pritej, i bllokuar në formën e akullit, në një mori mikrokrateresh, që përfaqëson një burim potencial për misionet e ardhshme hapësinore, sipas dy studimeve amerikane të botuara sot në “Nature Astronomy”.

“Është ujë në formë akulli, i bllokuar në fundin e kratereve të mëdha, të quajtura kurthe të ftohta, në hije të përhershme, pranë poleve, ku temperaturat janë jashtëzakonisht të ulëta”, thanë shkencëtarët në njërin nga studimet.

“Imagjinojeni veten në Hënë. Pranë njërit prej poleve të saj, ju do të shihni një mori hijesh të vogla që pikëlojnë sipërfaqen, shumica e të cilave janë më të vogla se një monedhë. Secila është jashtëzakonisht e ftohtë, sa për të strehuar akull “, sqaroi Paul Hayne i Departamentit të Astrofizikës në Universitetin e Kolorados, SHBA.

Studimi tjetër siguron prova kimike që vërtetojnë praninë e ujit molekular në sipërfaqen hënore.

Zbulimet sugjerojnë se uji është krijuar në Hënë ose është sjellë nga burime të jashtme, ndoshta nga asteroidë të rënë mbi të, uji i të cilëve pastaj ka depërtuar nëpër krateret e formuara dhe është bllokuar përgjithmonë nga i ftohti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb