Rreth 70 vjet më parë, pikërisht në një mesnatë me shi të Berlinit, më 28 prill 1945, nga Fuhrerbunker, ose bunkeri i Fyhrerit, Hitleri, gruaja e tij Eva, kunati i saj Fegelein dhe qeni i tyre aq i njohur Blondi, po përcilleshin në mënyrë shumë sekrete nga Martin Bormani, nëpërmjet disa tuneleve të gjata rreth 4 milje dhe sistemit të metrosë. Pas tre orësh, grupi i vogël përfundoi tek Sheshi ‘Fehbelliner’. Në Berlinin e rrethuar që nuk gjente qetësi nga luftimet e ashpra, Fyhreri u maskua me kominoshe kamuflazhi, helmetë dhe kundërgaz, pa harruar të fuste në tubin e këtij të fundit si ruletë kanavacen e një pikture të dashur të Frederikut të Madh, të cilën e mbante prej vitesh në zyrë. Tek sheshi po i priste motra tjetër e Evës, Ilse dhe miku i familjes, Joakim Rumohr. Këtu ata kishin në dispozicion tri tanke ‘Tigër II’ dhe dy kamionë të blinduar që i transportuan ata gjysmë milje më tutje, në pistën e improvizuar të bulevardit ‘Hohenzollerndamm’.

Ndërkohë, sozia e Hitlerit qysh pas plagosjes së tij më 20 korrik ’44, Gustav Weber, nën presionin e Myler Gestapos qëndronte për çdo moment, pas datës 28 prill 1945, në Fyhrerbunker së bashku me sozinë e Evës, një aktore e ngjashme me të, e zgjedhur nga Shefi i Propagandës, Jozef Gebels. Frikën dhe dridhjen e dorës nga tensioni të Weberit, klani i Bormanit e kishte zgjidhur me ndërhyrjen e qetësuesve antidepresivë të dhëna me bujari nga doktori personal i Fyhrerit, Ludvig Stumperfeger.

Nga ana tjetër, nga bulevardi i Berlinit do të ngrihej në orën 03 pas mesnate, aeroplani tip ‘Junker-52’, i drejtuar nga piloti i dekoruar, Peter Baumgart, i cili nga burgu Mokotou i Varshavës në vitin 1951 deklaroi këtë histori, të cilën e pasqyruan edhe agjenci si ‘Asociated Press’, që ai kishte çuar Hitlerin në aeroportin e Tondrës në Danimarkë, duke e shmangur avionin në një rrugë jashtë perdes së zjarrit të artilerisë së Aleatëve.

Baumgart që kishte marrë urdhër të çonte grupin në këtë udhëtim të rrezikshëm, vetëm në fund e kuptoi se kë kishte transportuar, kur ai doli të hapte derën e avionit dhe Hitleri që kishte hequr helmetën i kishte lënë atij në dorë një cek me vlerë të lartë prej 20 mijë reichmarka. Pasi përshëndeti një grup prej 100 nazistësh në këtë bazë, Hitleri dhe grupi i tij hipën natën tjetër të 29 prillit në një avion tjetër dhe fluturuan rreth 45 minuta, përsëri me një ‘Ju-52’, për në bazën ajrore gjermane në Travemunde, pranë Lubekut ku i priste piloti tjetër Werner Boumbah me një avion tremotorësh për distanca të gjata ‘Ju-252’, i cili e çoi po atë natë në aeroportin katalanas të Reus-it, të kontrolluar nga njerëzit e Frankos.

Aty ndërroi përsëri avion dhe udhëtoi në drejtim të ishullit spanjoll të Fuerteventurës në Ishujt Kanarie, ku i priste nëndetësja e grupit ‘Sea-Wolf U-518’ me të cilën udhëtuan vetëm çifti i famshëm dhe qeni i tyre Blondi deri në datën 28 korrik 1945, pra rreth dy muaj udhëtim, kur nëndetësja mbërriti në portin lindor të Nicocheas në Argjentinë. Pasi pushuan disa ditë, çifti u nis me avion për në San Barilocio në Patagoni, në këmbët e Alpeve.

Ndërkohë, në Bunkerin e Berlinit, çifti sozi do të ekzekutohej në befasi me 30 prill nga vetë Myler Gestapoja me nga një plumb në kokë dhe kufomat e tyre do të digjeshin në oborr më 1 maj dhe këto kadavra deri në vitin 1970 do të varroseshin e zhvarroseshin disa herë, pa kafkat përkatëse, deri sa ato do të digjeshin. Kafka e ‘Hitlerit’, e ekzaminuar më 1990 sipas ADN, doli se ishte e një femre të panjohur.

BOTIMET E TJERA
Pas botimit të dy librave me autor Adolf Hitlerin, ‘Mein Kampf’ dhe ‘Testamenti politik’, botimi i këtij libri të shkëlqyer prej dy autorëve bashkëkohës britanikë, Simon Dunstan dhe Gerrard Williams, “Ujku Gri: Arratisja e Adolf Hitlerit”, (Në origjinal: Grey Wolf – The Escape of Adolf Hitler), sigurisht që e rit kontributin e Shtëpisë Botuese ‘HELGA’s SECRETS’ në lidhje me ndriçimin e mirë, dokumentuar ndaj ngjarjeve të mëdha, para e gjatë Luftës së II Botërore, si edhe ndaj figurës së diktatorit më të madh në histori dhe fundit të tij të vërtetë.

Sipas botuesit Alfred Cako, ka mundësi që edhe një nga personalitetet më të larta naziste dhe një figurë kyç e regjimit hitlerian, Heinrich Gestapo Müller, i cili shfaqet në këtë libër pas vitit 1976 në Argjentinë, të ketë qenë fshehur nga viti 1948, pas prishjes me Jugosllavët, në Shqipëri me dijeninë e Enver Hoxhës dhe Vatikanit. Ndoshta ai ka dalë dhe ka hyrë në Itali disa herë, deri sa u largua në vitin 1976 përfundimisht. Ky është një lajm me përmasa botërore, nëse do të ishte i vërtetë.

Por historiografia zyrtare flet me disa mënyra për ‘vetëvrasjen’ e Adolf dhe Eva Hitlerit, të martuar zyrtarisht në dt. 28 maj 1945 në Fuhrerbunker. Pas ‘vetëvrasjes’ së tyre, sipas kësaj historie të mësuar në të gjitha shkollat e të gjitha niveleve, u tha se trupat e tyre u dogjën me karburant në kopshtin e Kancelarisë. Kadavrat e çiftit, të marra nga Ushtria Sovjetike si një relike për të mashtruar popujt (në një kohë që as Zhukovi e as Stalini nuk e besonin këtë përrallë që Hitleri e Eva kishin vdekur vërtet), zyrtarisht janë varrosur e zhvarrosur në vende të ndryshme deri sa në vitin 1970 ato u dogjën e hiri i tyre u shpërnda. Ndërsa analizat e bëra mbi kafkat e tyre në vitet ’90 treguan se ato nuk ishin të çiftit të famshëm.

Por nëse historia zyrtare nuk është e vërtetë, atëherë ku dhe si u arratisën Adolfi dhe Eva? Cili qe fati i tyre i mëvonshëm? A u krye operacioni i arratisjes ‘Aktion Feuerland’ (Arratisja në Tokën e Zjarrtë të Argjentinës, e cila u pranua nga amerikanët me operacionin ‘Crossword’) në fshehtësi totale nga syri i aleatëve apo ata e lejuan atë të largohej? Cilët nga aleatët ka pasur dijeni mbi këtë operacion të fundit nazist të shpëtimit? Cili ka qenë udhëtimi i arratisjes dhe sa zgjati ky udhëtim i çiftit? Në cilin vend përfundoi ky udhëtim? Cili qe fati i mëtejshëm i organizatës së lartë të mbetur naziste? Si mundi organizata të fshihej e të largohej? Cili ka qenë roli i Vatikanit në mbrojtjen e sigurimin e arratisjes së disa nazistëve? Cilat kanë qenë intrigat për eliminimin e stafit më të ngushtë të diktatorit dhe cili ishte roli i grupit të Bormanit në këto eliminime? Si i siguronte mjetet financiare organizata për të mbijetuar në azil? A kishte lidhje politike e ndikim mbi klasën drejtuese dhe ekonominë e vendit pritës Organizata naziste? Cilat mund të kenë qenë shkaqet që grupi i vogël i nazistëve më të lartë u lejua nga aleatët të largohej e të strehohej në një vend ku ai mund të arrihej, të kapej, gjykohej ose të eliminohej? Kur vdiq vërtet Hitleri dhe si qe fundi i tij? Kush ishin njerëzit e tij më të afërt pas arratisjes? A la ai trashëgim-tarë e ku shkuan ata?

Të gjitha këto pyetje sqarohen në këtë libër të mrekullueshëm, duke davaritur edhe mjegullën mbi ardhjen në pushtet të diktatorit e mbi shkaqet e Luftës së Dytë. Ishte ardhja e tij një aksident nga shkaqet objektive, apo një racionalizim i historisë nga elita politike e kohës për shkaqe të fshehta, sipas ligjit shkak-pasojë? Apo ardhja e tij ishte një trill i historisë? Po pse fundin e tij na e kanë fshehur?! Në lidhje me këtë pyetje, fundi i librit mbyllet kështu:
“Winston Churchill, nemesisi 1 Britanik i Hitlerit, dikur tha në mënyrë të famshme se,: ‘Historia do të jetë e mirë me mua, sepse unë kam ndërmend ta shkruaj atë’. Por armiku i tij e kishte parashikuar këtë mundësi dhe para Çërcillit e shkroi historinë e tij. Adolf Hitleri, një nga njerëzit më të këqij në historinë e civilizuar, e parapriu atë duke thënë, ‘Fitimtari nuk do të pyetet kurrë nëse tha të vërtetën’. Në fund të Luftës së II Botërore fitimtarët nuk u pyetën kurrë për të. Ne i pyesim ata tani këtu”.

 

(m.k/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb