DURRËS

Ujësjellës Kanalizime Durrës pritet të marrë në dorëzim dy investime mjaft të rëndësishme që lidhen lidhen me sektorin e ujit të pijshëm dhe rrjetin e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Sapo kanë përfunduar në masën 100 përqind punimet për ujësjellësin e ri dhe tashmë Durrësi po furnizohet me ujë nga burimi i ri që gjendet në Fushë Milot, 65 km larg. Investimi tjetër lidhet me rrjetin e ri të kanalizimeve të ujërave të zeza, i cili nis nga zona e Currilave dhe përfundon tek impianti i trajtimit në Shënavlash. Ky investim është pothuajse në përfundim dhe brenda qershorit përfundojnë të gjitha punimet.

Ujësjellësi i ri

Ndërtimi i ujësjellësit të ri është investimi më i rëndësishëm i kryer në 30 vitet e fundit në Durrës. Ai pritet të zgjidhë përfundimisht problemin e furnizimit me ujë të qytetit, pasi me burimin e ri sigurohet tre herë më shumë ujë, sesa sillte ujësjellësi i vjetër nga burimi i Fushë Kuqes. Sipas projektit, janë ndërtuar 7 puse prodhimi me kapacitet total 630 litra ujë në sekondë në Fushë Milot. Gjithashtu është ndërtuar edhe rezervuari me kapacitet 1400 m³ dhe stacioni kryesor me kapacitet pompimi 630 litra/sek. Mënyra se si është konceptuar mbërritja e ujit nga puset deri në Durrës është e tillë: Nga 7 puset që janë hapur me prurje 105 litra në sekondë secili, njëri do të jetë rezervë. Ata do e dërgojnë ujin 10 km larg, pranë hidrovorit në fshatin Adriatik të Kurbinit, ku gjendet stacioni i pompave dhe depoja kryesore. Nga këtu uji pompohet me anë të 6 pompave, ndërkohë që dy pompa do jenë gjithmonë rezervë, drejt depos së Bizës e cila ka kapcitet 700 m3 dhe gjendet në një distancë prej 14.5 km larg nga stacioni i pompave dhe lartësi 186 metër mbi nivelin e detit. Nga kjo depo deri në Durrës, në një distancë prej 36 km, uji do të mbërrijë me rrjedhje të lirë. Tubacioni që shërben për transmetimin e ujit nga burimi deri në Durrës është me diametër 700 mm dhe në total është shtruar 65 km tubacion i tillë. Për të mundësuar lidhjen e tubacionit të ri është projektuar ndërtimi i rrjetit të ri që furnizon zonën e ish Kënetës me tubacion 300 mm, një tjetër tubacion 300 mm që do të furnizojë zonën e Porto Romanos si dhe zëvendësimi i dy linjave ekzistuese që furnizojnë tre depot kryesore të qytetit me linja të reja me dimension 500 mm. Projekti për ujësjellësin e ri ka vlerën 41.3 milion euro dhe është investim i qeverisë shqiptare me kredi të Bankës Botërore.

Rrjeti i kanalizimeve të ujërave të zeza

Faza e dytë e rrjetit të ujërave të zeza në Plazh si dhe projekti që po zbatohet në qytet kanë një vlerë totale prej 9 milion euro që janë siguruar nga kredia e Bankës Botërore. Projekti që nis që në zonën e Currilave ka si qëllim ndërtimin e kolektorit kryesor të kanalizimeve nga Muzeu te stacioni pompimit nr.8 (në hyrje të shëtitores Taulantia), nga stacioni pompimit nr.8 në stacionin e pompimit nr.7 (në afërsi të rrethrrotullimit të Kënetës) dhe nga aty përfundojnë në stacionin e pompimit nr.9 në Kënetë. Investimi do të bëje të mundur ndarjen e rrjetit te kanalizimeve  të ujërave të zeza dhe atij të ujërave të bardha, shmangien e derdhjeve të tyre  në det, grumbullimin  dhe dërgimin te impianti i pastrimit të ujërave të zeza në Shënavlash duke patur ndikim të drejtpërdrejtë në një popullsi prej rreth 150,000 banorë të qytetit. Në përfundim të projektit pritet të ketë një përmirësim të ndjeshëm të situatës përgjatë bregut të detit në shëtitoren “Taulantia”, pasi në këtë zonë nuk pritet të ketë më shkarkime në det. Sipas projektit, janë ndërtuar 6 km kolektor kryesor, me dimension 400-1000 mm, 75 puseta kontrolli si dhe ndërtimi i 2 stacioneve kryesore të pompimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb