TIRANË

Lufta në Ukrainë, a depërton në Ballkan? Kjo është pyetja që emisioni “Pikat mbi i” në News24 është përpjekur t’i japë përgjigje sot. Analisti Artur Zheji dhe ish-ministrja e Mbrojtjes, deputetja e PS-së Mimi Kodheli kanë folur për rolin e Shqipërisë në rajon dhe më gjerë, e parë në këndvështrimin e një rreziku për Kosovën nga Serbia.

Zheji pyeti nëse ka një plan nga Shqipëria apo një politikë të emergjencës. Ndërkohë Kodheli tha se Shqipëria është në alert dhe është pjesë e vendimmarrjes, por se garanci është NATO. Ajo tha se për sa kohë misioni i NATO-s në Kosovë funksionon edhe kufijtë e Kosovës janë të sigurt.

Kodheli: Ka një diskutim shumë dimensional të problematikave që ka gjeopolitika. Shqipëria është anëtare e disa organizmave të rëndësishëm ndërkombëtarë. Është anëtare e NATO-s, ulet në një tryezë. Është anëtare e një organizmi që merret me sigurinë siç është OSBE-ja. Vepron si e tillë brenda strukturave, organizmave ndërkombëtare. Nga ana tjetër duhet të kurojë politikat e saj rajonale dhe marrëdhëniet me fqinjët. Kompleksiteti e tejkalon atë çka është normale. Unë besoj që sot duhet të kemi mendjen në mësim. Për çdo gjë që ndodh, ashtu si duhet të jemi bashkë kur na kërkohet vendimmarrje. Ka një angazhim të madh të të gjithë aktorëve dhe faktorëve të brendshëm politikë në Shqipëri, por nga ana tjetër mendoj që jemi në pozicionin e duhur për të treguar që ne dimë të eksportojmë siguri, të mund të bëjmë më të voglën tonë, analiza të mira që na çojnë drejt një politikbërje me këmbë në tokë, që nuk ngre tymnajë, qartëson situatën. E shikoj Shqipërinë të pozicionuar mirë duke bërë gjënë e duhur, duke qenë në anën e duhur të historisë. Kjo na nderon, por kemi akoma për të bërë sepse situatat mund të precipitojnë.

Zheji: Mendoj që fjalët kyçe më të pranueshme janë relaksimi. Duke mbajtur një qëndrim të zbehtë gjeopolitik në rajon ndoshta ndikojmë në moskrijimin e problemeve shtesë në rajon, por jo për zgjidhjen e problemeve. Ne duke ndjekur fjalën kyç relaksim, do ishte mirë të kishim një marrëdhënie dhe më të relaksuar mes Tiranës dhe Prishtinës. Kemi marrëdhënie reumatizmale që pengon rakordimin e çështjeve të shkallës së parë.

Mendoj që këto hatërmbetjet reciproke të politikës lokale, bën që të mbetemi te politika e relaksit dhe jo aksionit politik.

Kodheli: Ju me të drejtë u fokusuat te misioni KFOR, është misioni më jetëgjatë në historinë e NATO-s. Dua ta nënvizoj këtë sepse dua t’i shtoj faktin e një mesazhi që NATO jep për angazhimin në Ballkan. Është një rajon që implikon shumë faktorë. Ne ishim protagonistë gjatë luftës në Kosovë, por ndërkohë nuk mund të ishim protagonistët kryesorë për aq sa kohë ndërhyrja e NATO-s, aleatëve bënë të mundur këtë që kemi sot, situatën e paqtë që ekziston sot.

Sot ne flasim për angazhime ndërkombëtare, për hapje negociatash, heqje vizash. Jemi në një situatë tjetër. Besoj që jo vetëm garancia është e madhe për çka KFOR-i përfaqëson dhe EULEX.

Tjetra gjë është që Shqipëria është shumë e vëmendshme gjatë gjithë rrugëtimit të Kosovës drejt anëtarësimit në NATO. Unë kam qenë një ndër njerëzit që jam marrë me këtë gjë.

Kam bërë një takim me lidershipin e Komisionit të Politikës së Jashtme në Kosovë dhe me ministrin e Mbrojtjes së Kosovës. Vëllezër harta është atje, ne duhet të punojmë në front për ato vende që nuk e njohin Kosovën. E gjitha kjo është një punë e përbashkët që Shqipëria bën me Kosovën.

KFOR nuk është atje vetëm për të siguruar qetësinë në Kosovë, por edhe për pakicat. Të gjitha këto e bëjnë të jetë një mision çelësi i suksesit të një sigurie që gëzojmë.

Nisma “Open Balkan” unë mendoj që e ka thjeshtuar punën. Debati është dialektik. Debati i mirë është zhvillim. Unë nuk jam absolutisht kundër debatit, jam për t’u ulur për të qenë më transparent që gjërat të bëhen më të thjeshta jo vetëm për ata që ndajnë opinione, por edhe për publikun.

Zheji: Ne kemi tre elementë të thjeshtë, por me teh të mprehtë. Kemi një luftë në Ukrainë dhe kemi një, tanimë s’ka dyshim, analistët janë të mendimit që Putini po përkëdhel një ëndërr perandorake.

Duhet të shohim patjetër hartat e një shekulli më parë. Hartat tregojnë që vijat e forcës të Perandorisë ruse janë të pranishme në Ballkan.

Provokacioni do vazhdojë në të njëjtat linja të vjetra. Ku ka gjë më të mbarë për një strateg si Putini që të hapë vija të dy e të treta në Ballkan. Presidenti Vuçiç po armatoset, ka një bazë ushtarake ruse në Nish. Kemi një prezencë reale, ne nuk mund të fshehim kokën si struci. Mendoj që jam dakord me analizën që bëhet në lidhje me ndërkombëtarët çfarë bëjnë ata për të na ruajtur ne, unë mendoj çfarë bëjmë ne për të ruajtur veten. Jemi shumë relaksues si vend sepse nuk prodhojmë asgjë. Më shumë takime ka pasur Rama me Vuçiç se me Kurtin. Akoma dhe kur flitet për një krizë për Presidentin në Shqipëri, Rama thotë do doja një President si Hashim Thaçi. Kemi një politikë të emergjencës? Ka një frymë diskutimi për këtë?

Kodheli: Ka një politikë të emergjencës sepse duhet të ketë sepse situatat kanë perceptuar përtej gjithë informacionit që kanë pasur shërbimet e inteligjencës. Ne duhet të jemi shumë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh rreth nesh. Bota ka shkuar në një drejtim tjetër. Shqipëria duhet patjetër të jetë në alert, është në alert. Duke qenë pjesë e strukturave duhet të jetë në alert. Shqipëria është pjesë e vendimmarrjes dhe të dojë të jetë e relaksuar nuk mund të jetë. Dhe sot që flasim ka akoma shumëçka për të bërë. Ne kemi menduar që nuk do të vijë dita për një agresion të mundshëm, sepse Aleanca ka krijuar një ekuilibër botëror.

Përgatitja jonë duhet të jetë në disa drejtime. Nuk duhet të jemi një shoqëri e frustruar sepse NATO është një garanci e madhe, por garanci e madhe është dhe misioni i NATO-s në Kosovë.

Kufijtë Kosovë-Serbi janë të sigurt për aq sa kohë misioni i NATO-s funksionon. E sigurt në këtë jetë është vetëm vdekja, jo politike, flas kjo biologjike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb