Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, i ka dërguar sot një letër urimi Kryetarit të Parlamentit të Ukrainës, Dmytro Oleksandrovych Razumkov Razumkov, me rastin e Ditës së Pavarësisë.

“Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht.

Deklarata e Pavarësisë dhe rithemelimi i Ukrainës si një shtet i pavarur më 24 gusht 1991 është një ngjarje historike për popullin e Ukrainës, mirëqenien dhe të ardhmen e tij.

Populli shqiptar ushqen ndjenjat e respektit dhe të miqësisë me popullin e Ukrainës. Kjo miqësi mbështet e ushqehet edhe nga prezenca e Diasporës shqiptare në Ukrainë, e cila duke qenë e mirëintegruar dhe në bashkëjetesë me popullin ukrainas, ruan dhe konsolidon identitetin kombëtar dhe shërben si një urë miqësie e bashkëpunimi midis të dy vendeve.

Bashkëpunimi midis vendeve tona mund të fuqizohet e zgjerohet, sidomos në sektorët me potenciale më të mëdha zhvillimi, si bujqësia, turizmi, transporti, energjia, arsimi, kultura etj.

Me këtë rast, dëshiroj të vë në dukje vendosmërinë e Shqipërisë në mbështetje të integritetit territorial, sovranitetit dhe pavarësisë së Ukrainës.

Shpreh bindjen se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Ukrainës do të vijë duke u forcuar dhe me këtë rast kam kënaqësinë t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë sa më të afërt dhe në përputhje me agjendën Tuaj.”, shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb