Ukraina po përgatitet për tre javë fushate të ndezur politike, tani që dy rivalë në zgjedhjet presidenciale të së dielës, një komedian 41 vjeçar dhe presidenti i vendit do t’i drejtohen balotazhit të planifikuar për në 21 prill.

Siç ishte parashikuar gjerësisht, aktori i satirës Volodimir Zelenskiy e fitoi me lehtësi raundin e parë të votimit të dielën me rreth 30 për qind të votave. Atij i duhej një diferencë prej më shumë se 50 për qind për një fitore të plotë.

“Ky është vetëm hapi i parë drejt një fitoreje të madhe”, u tha Zelenskiy mbështetësve dhe mediave në Kiev. “Ne nuk na intereson me cilët konkurrojmë në raundin e dytë. Siç më kanë thënë, disa lajme të rreme kanë shkuar se ne po përpiqemi të bëjmë marrëveshje me dikë. Ne nuk po bëjmë ndonjë marrëveshje me askënd. Ne jemi të rinj. Nuk duam të shohim të gjithë të kaluarën në të ardhmen tonë, në të ardhmen e vendit tonë,” shtoi ai.

Presidenti Petro Poroshenko doli i dyti me 16 përqind, pas numërimit të shumicës së votave. Ai u shpreh me tone të përulura pas rezultatit:

“Unë nuk ndjej ndonjë lloj euforie. Në mënyrë kritike dhe me mendje të fatohtë e kuptoj sinjalin që shoqëria u dha sot autoriteteve,” tha ai.

Zoti Poroshenko menjëherë vuri në shënjestër rivalin, duke e akuzuar zotin Zelenskiy se ishte një kukull e oligarkut në mërgim, Ihor Kolomoysky, diçka që kandidati e ka mohuar në mënyrë të përsëritur. Kolomoysky zotëron kanalin televiziv 1 + 1, i cili transmeton programin satirik ku luan Zelenskiy, Shërbëtori i Popullit, shkruan Zëri i Amerikës.

Në tre javët e ardhshme ka gjasa të shohim një fushatë të ashpër, thotë analistja Anna Korbut, e institutit të politikave Chatham House me bazë në Londër.

“Axhenda e Poroshenkos, e cila fillimisht u bazua më shumë në gjuhën, besimin, (shkëputjen) nga Moska, sigurinë, pra në ato që mund t’i quajmë aspekte të “shtetësisë”. Axhenda e Zelenskiy-t është më e fokusuar në përgjigjen ndaj shqetësimeve të votuesve. Por si do të funksonojë kjo, nuk e dimë ende, sepse në axhendën e Zelenskiy-t nuk ka shumë hollësi.”

E reja që sjell zoti Zelenskiy është fakti që ai është politikisht një jashtëm, por votuesit duan të dinë më shumë, thotë Irina Bekeshkina, e organizatës joqeveritare Nisma Demokratike në Kiev.

“Do të shohim se si do të shkojnë tri javët e ardhshme, nëse do të ketë debate televizive, nëse njerëzit do të japin një votë proteste, nëse nuk e dinë se çfarë programi ofron kandidati.”

Politikat e Zelenskiy për konfliktin që vazhdon në lindje do t’i nënshtrohen një shqyrtimi më të madh.

“Zelenskiy nuk ka thënë se si do të përballet, ose me çfarë pozicioni do të dalë, në një bashkëbisedim të mundshëm me Rusinë, ose në një format ndërkombëtar,” tha analistja Korbut.

Për disa ukrainas, mungesa e përvojës tek Zelenskiy është shqetësuese.

“Unë prisja që ai (Zelenskiy) të merrte më pak vota dhe Poroshenko më shumë, se njerëzit do të mendonin më shumë dhe do të votonin me mend,” thotë banori i Kievit, Anton, i cili nuk e tregon mbiemrin.

Mbështetësit e Zelenskiy-t thonë se Ukraina ka nevojë për ndryshim.

“Natyrisht unë jam e kënaqur. Ne votuam për Zelenskiy-n. Gjithçka mirë,” thotë punonjësja e hotolerisë në Kiev, Lubov Teplova.

Humbësja e madhe e së dielës ishte ish kryeministrja Yulia Tymoshenko, e cila doli në vend të tretë.

Më 21 prill, ukrainasit do të zgjedhin mes presidentit të tanishëm dhe një aktori satirik. Të dy janë fuqimisht pro-perëndimorë dhe pro-reformës, por kanë pak ngjashmëri të tjera.

Shumë do të varet nga kandidatët tashmë të eliminuar dhe nëse Zelenskiy do të mund të vazhdojë të marrë votën e protestës në raundin përfundimtar.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb