Ministria e Jashtme e Ukrainës, i ka bërë thirrje Kombeve të Bashkuara që të lehtësojë kthimin e fëmijëve ukrainas që janë “deportuar ilegalisht” në Rusi.

Bëhet fjalë për të miturit të cilët Moska i ka dërguar në territorin rus, me pretendimin se po evakuoheshin nga zonat e përfshirë nga lufta.

Në një deklaratë, ministria ukrainase tha se Rusia ishte përfshirë në zhvendosjen e paligjshme dhe të detyruar të fëmijëve ukrainas, midis tyre jetimë, fëmijë të privuar nga kujdesi prindëror, si dhe fëmijë, prindërit e të cilëve vdiqën si rezultat i agresionit ushtarak të Rusisë në të gjithë Ukrainën, raportoi the Guardian.

“Në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare humanitare dhe standardet bazë të humanizmit, Rusia është e përfshirë në rrëmbimin e fëmijëve të organizuar nga shteti dhe shkatërrimin e së ardhmes së kombit ukrainas. Veprime të tilla të pushtuesve rusë mund të cilësohen si rrëmbim dhe kërkojnë një reagim vendimtar nga komuniteti ndërkombëtar, në radhë të parë nga organizatat përkatëse ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e autoriteteve ukrainase.

Ukraina ka akuzuar vazhdimisht forcat ruse se kanë dëbuar me forcë mijëra fëmijë nga rajonet Donetsk dhe Luhansk të Ukrainës lindore që nga fillimi i luftës.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i ka mohuar këto akuza, duke pretenduar se janë vetëm gënjeshtra.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb