Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba, bëri thirrje të mërkurën për sanksione të reja kundër Rusisë, pasi siç u shpreh ai, Moska ka shkelur marrëveshjet e Minskut. Objektivi i tyre ishte një zgjidhje politike për konfliktin në Ukrainën Lindore.

Kryediplomati ukrainas i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për shtyp me Ministrin e Jashtëm spanjoll Jose Manuel Albares në Kiev.

“Gjatë viteve të fundit, Rusia ka shkelur në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar, përfshirë marrëveshjet e Minskut dhe për këtë arsye duhet të ndëshkohet me sanksione”, tha zoti Kuleba.

Zoti Kuleba akuzoi Rusinë se u kishte dhënë pasaporta ruse ukrainasve që jetojnë në pjesët e kontrolluara nga separatistët në lindje të Ukrainës.

“Paisja masive me pasaporta e qytetarëve ukrainas që jetojnë në rajonet e Donetskut dhe Luhanskit është një shkelje e qartë dhe flagrante e marrëveshjeve të Minskut,” tha ai.

Rusia dhe Ukraina janë përfshirë në një konflikt të ashpër që nga viti 2014, kur Moska aneksoi Krimenë dhe më pas mbështeti një kryengritje separatiste në lindje të vendit.

Luftimet mes separatistëve të mbështetur nga Rusia dhe forcave ukrainase kanë shkaktuar vdekjen e mbi 14,000 vetëve.

Marrëveshjet e Minskut u nënshkruan në vitin 2015 nga udhëheqësit e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, si përgjigje ndaj aneksimit të Krimesë nga Rusia. Ato u dhanë fund luftimeve në shkallë të gjerë, por nuk sollën një zgjidhje politike të konfliktit.

Kremlini ka akuzuar vazhdimisht Kievin për sabotim të marrëveshjes dhe zyrtarët ukrainas javët e fundit thanë se zbatimi i saj do të dëmtonte Ukrainën.

Të martën, Presidenti francez Emmanuel Macron i cili ishte këtë javë në Rusi dhe Ukrainë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për krizën, tha se Moska dhe Kievi janë të përkushtuara për zbatimin e marrëveshjeve të Minskut. Ai shtoi se dhe se kjo do të ishte mënyra e vetme për të arritur përparim drejt zgjidhjes së krizës.

Në konferencën për shtyp të së mërkurës, zoti Kuleba tha se situata mes Rusisë dhe Kievit vazhdon të “mbetet e tensionuar”.

“Pa ekzagjerim, Rusia dëshiron të hakmerret pas humbjes në Luftën e Ftohtë. Prandaj këtu kemi të bëjmë me mbrojtjen e arkitekturës së sigurisë në Evropë.”

Megjithatë ai tha se përpjekjet për një zgjidhje diplomaike të krizës po vazhdojnë.//VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb