Komandanti i Marinës së Ukrainës, Ihor Voronchenko, ka deklaruar se vendi i tij vazhdon të thellojë bashkëpunimin me NATO-n duke ndërtuar një ushtri të re në përputhje me standardet e aleancës.


Për të shënuar 28-vjetorin e Ditës së Forcave të Armatosura të Ukrainës, ambasada ukrainase në Turqi organizoi një pritje në kryeqytetin Ankara.


Zv/ministri i Mbrojtjes dhe komandanti i Marinës së Turqisë po ashtu ishin pjesë e aktivitetetit, së bashku me shefin e forcave detare të Ukrainës, ambasadorë dhe atashe ushtarakë të vendeve të ndryshme të huaja.


“Tani, në kushte jashtëzakonisht të vështira, Ukraina po krijon forca të armatosura moderne, të gatshme për luftime, të profesionalizuara dhe të pajisura”, tha Voronchenko.

Voronchenko tha se ata mirëpritën kthimin e marinarëve detarë ukrainasë të cilët vitin e kaluar u ndaluan nga Rusia.

“Ukrainasit nuk i lënë kurrë bashkatdhetarët e tyre. Jeta dhe liria e mbrojtësve të Ukrainës është përparësia jonë absolute”, theksoi Voronchenko.

Më tej, ai theksoi se miliona ukrainasë të cilët sinqerisht duan që fëmijët e tyre të jetojnë në një shtet të lirë dhe të pavarur vendosin shpresën e tyre tek forcat e armatosura.

“Forca dhe fuqia e shtetit ukranas është në unitetin e ushtrisë dhe të popullit”, u shpreh Voronchenko.

Ai po ashtu falënderoi Turqinë për “qëndrimin e saj të pandryshuar ndaj mbështetjes së sovranitetit dhe integritetit territorial” të vendit të tij.

Ndërkaq, ambasadori ukrainas në Turqi, Andrii Sybiha, tha se ushtria është më e besuara në mesin e institucioneve shtetërore.

Sybiha theksoi se ushtria arriti të qëndrojë kundër agresionit rus në rajonet e pushtuara të Krimesë, Donbass dhe në jug e lindje të Ukrainës.

Ai pohoi se Rusia ishte në gjendje të sulmonte Ukrainën dhe Gjeorgjinë, sepse NATO nuk arriti t’i ftojë këto dy vende në aleancë.

“NATO duhet të përqendrohet më shumë në rajonin e Detit të Zi”, tha Sybiha, duke përsëritur se rajoni ishte i sigurt falë pranisë së aleancës dhe Turqisë.

Ukraina feston ditën e saj të Forcave të Armatosura çdo vit më 6 dhjetor, dita kur është themeluar ushtria, marina dhe forca e saj ajrore pas shpërbërjes së Bashkimi Sovjetik.

NATO dhe Moska kanë qëndrime të ndryshme në disa çështje, përfshirë separistët përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë, aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë dhe për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e vendeve perëndimore.

Rusia dhe Ukraina kanë qenë në mosmarrëveshje që nga viti 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e Krimesë së Ukrainës pas një referendumi të diskutueshëm.

Turqia dhe Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (OKB) aneksimin e shohin si të paligjshëm.

Ukraina po ashtu ka fajësuar Kremlinin për dhunën separiste në Donbass, në lindje të Ukrainës afër kufirit me Rusinë.

Tbilisi në vitin 2008 kaloi një luftë pesë-ditore me Rusinë lidhur me rajonet e shkëputura të Gjeorgjisë, në Osetinë e Jugut dhe Abkhazia. Gjeorgjia humbi kontrollin në të dyja zonat, ndërsa Rusia më vonë i njohu si shtete të pavarura.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb