Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitaly Klichko tha se autoritetet e kryeqytetit ukrainas kanë miratuar një plan evakuimi në rast të një pushtimi nga Rusia.

“Shërbimet e qytetit po punojnë tashmë për të parandaluar një situatë emergjente të natyrës ushtarake. Përpjekjet tona janë të drejtuara në parandalimin ose tejkalimin e provokimeve të mundshme dhe përballimin e një sulmi ushtarak. Ne veprojmë në përputhje me një plan të qartë”, thuhet në njoftim.

Sipas kryebashkiakut të Kievit plani i evakuimit është miratuar për kryeqytetin, duke përcaktuar vendndodhjen e qendrave të evakuimit, numrin e nevojshëm të automjeteve dhe rajonet e sigurta për të akomoduar të evakuuarit.

Shqetësimet për përgatitjet e supozuara të Moskës për një pushtim të Ukrainës janë shprehur së fundmi në Perëndim dhe në Kiev, shkruajnë mediat e huaja.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i cilësoi këto deklarata si një përshkallëzim të zbrazët dhe të pabazë të tensionit, duke theksuar se Rusia nuk përbënte asnjë kërcënim për askënd.

Në të njëjtën kohë, sekretari i shtypit i Kremlinit nuk përjashtoi disa provokime të mundshme për të justifikuar pretendime të tilla dhe paralajmëroi se përpjekjet për të zgjidhur konfliktin ukrainas me forcë do të kishin pasoja jashtëzakonisht të rënda.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb