Presidenti rus Vladimir Putin i ka ngritur sërish tonet duke folur për luftën në Ukrainë, teksa ka akuzuar edhe një herë Perëndimin, gjatë fjalimit të hapjes së Konferencës Ndërkombëtare të Sigurisë të organizuar në Moskë.

Putin argumentoi se Shtetet e Bashkuara duan të “zgjasin” konfliktin në Ukrainë dhe akuzoi Perëndimin për përdorimin e Ukrainës si “mish për top” .

“Vendet perëndimore, kanë nevojë për konflikte për të ruajtur hegjemoninë e tyre, dhe për këtë ata kanë destinuar popullin ukrainas të përdoret si mish për top, duke mbyllur një sy ndaj përhapjes në Ukrainë të ideologjisë neo-naziste, deri në masakrat e banorëve të Donbasit”, tha Putin sipas agjencisë së lajmeve Tass.

Kreu i Kremlinit u kujdes të shmangë termin luftë, duke thënë se “objektivat e këtij operacioni janë të përcaktuara qartë dhe synojnë garantimin e sigurisë së Rusisë dhe qytetarëve, por edhe mbrojtjen e banorëve të Donbasit nga gjenocidi”.

Udhëheqësi rus zgjeroi gjithashtu gamën e fjalimit të tij në kuadrantin e Paqësorit dhe i dërgoi një mesazh Kinës, duke argumentuar se Perëndimi synon të shtrijë një “sistem të ngjashëm me atë të Aleancës Atlantike” në Lindjen e Largët.

Sipas tij edhe vizita e Nancy Pelosit në Tajvan nuk është asgjë më shumë se një “provokim, i studiuar kundër Pekinit”, në një strategji perëndimore që Putin e konsideron si plani që do të “destabilizojë botën”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb