Rusia dëshiron të eliminojë kërcënimin e konfliktit bërthamor, pavarësisht rreziqeve të larta që ekzistojnë aktualisht dhe dëshiron të kufizojë të gjitha mundësitë e rritjes “artificiale” të këtyre rreziqeve, tha ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një intervistë të transmetuar të hënën mbrëma nga televizioni rus.

“Ky është pozicioni ynë bazë, mbi të cilin bazojmë gjithçka. Rreziqet janë të rëndësishme tani. Nuk dua t’i rris artificialisht këto rreziqe. Shumë do ta donin. Rreziku është serioz, real. Dhe ne nuk duhet ta nënvlerësojmë atë. Moska do të vazhdojë bisedimet e paqes me Kievin”, ka thënë ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, duke akuzuar Ukrainën për “shtirje” për të biseduar dhe duke paralajmëruar se ekziston një rrezik “real” i një lufte të tretë botërore.

“Rreziku është serioz, është real, nuk duhet ta nënvlerësojmë”, theksoi ai.

Ministri i Jashtëm rus akuzoi presidentin ukrainas, ish-aktor i zgjedhur në vitin 2019, se “shtrihej” se po negocionte.

“Ai është një aktor i mirë … nëse shikojmë me kujdes dhe lexojmë me kujdes atë që thotë, do të gjejmë mijëra kontradikta,” tha ai.

“Vullneti i mirë ka kufijtë e tij. Dhe nëse nuk është e ndërsjellë, nuk kontribuon në procesin e negociatave,” u citua të ketë thënë Lavrov nga agjencitë ruse të lajmeve.

“Por ne vazhdojmë të negociojmë me grupin (të zgjedhur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky). Situata në Ukrainë do të përfundojë me një traktat, por përmbajtja e tij do të varet nga situata në fushën ushtarake”, tha Lavrov.

Objektivat legjitime ushtarake janë armët që Perëndimi i dorëzon Ukrainës

“Dorëzimi i armëve perëndimore në Ukrainë do të thotë se NATO është ‘në thelb e përfshirë në një luftë me Rusinë’ dhe Moska i konsideron këto armë objektiva legjitime ushtarake. Këto armë janë një objektiv legjitim për forcat e armatosura ruse si pjesë e një operacioni special ushtarak në Ukrainë”, tha Lavrov për televizionin shtetëror.

“Objektet e magazinimit në Ukrainën perëndimore tashmë janë shënjestruar më shumë se një herë” nga forcat e armatosura ruse dhe “nuk mund të bëhej ndryshe,” vazhdoi ai.

“NATO, në thelb, u përfshi në një luftë me Rusinë përmes një ndërmjetësi dhe po e pajis këtë ndërmjetës. Lufta do të thotë luftë”, shtoi ai.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb