Pushtimi i Presidentit Putin po vendoset në rrezik, kjo pasi sipas “The Times”, nuk ka asnjë komandant të përgjithshëm të forcave ruse në terren. SHBA dhe aleatët e saj kanë mbetur të befasuar nga ritmi i ngadaltë i pushtimit nga njëra anë dhe rezistencën e ukrainasve nga ana tjetër. Pothuajse një muaj pas pushtimit, forcat ruse nuk kanë arritur të kapin tre qytetet më të mëdha të Ukrainës, Kiev, Kharkiv dhe Odesa.

Burimet e Pentagonit kanë fajësuar mungesën e një komandanti të lartë në terren për përparimet e pakoordinuara të ushtrisë ruse, me njësi të veçanta të detyruara të konkurrojnë me njëra-tjetrën për burime të pakta. Mungesa e drejtimit të përgjithshëm ka bërë që forcat ruse të dështojnë të lidhen pas pushtimit nga pjesë të ndryshme të vendit, kanë thënë për CNN dy burime të mbrojtjes amerikane.

Forcat ruse në Krime janë përpjekur të lidhen me trupat në rajonet e shkëputura të Donetsk dhe Luhansk, por nuk kanë arritur të marrin qytetin kyç të Mariupolit, në përpjekjet e tyre për të krijuar një korridor tokësor përgjatë Detit Azov.
Ndërkohë, sulmi i dyfishtë ndaj Kievit nga Bjellorusia në veri dhe Rusia në verilindje ende nuk ka arritur të kërcënojë kryeqytetin. Dje forcat ukrainase pretenduan fitoren në betejën e tyre për të rimarrë Makariv, një qytet strategjik në perëndim të Kievit, duke rritur presionin mbi linjat ruse të furnizimit.

Javën e kaluar Roman Gavrilov , një zyrtar i lartë i shërbimit të sigurisë, u shkarkua papritur në shenjë të zhgënjimit të Putinit me performancën e ushtrisë së tij.

Gjenerali Mark Hertling, një ish-komandant i ushtrisë amerikane në Evropë, tha se ishte e paqartë nëse Putin kishte emëruar një komandant të lartë në terren, por nëse ai e kishte atë gjeneral duhet të jetë “i paaftë”.

“Një nga parimet e luftës është uniteti i komandës”, tha ai për CNN. “Kjo do të thotë se dikush duhet të jetë në krye të përgjithshëm – të koordinojë zjarret, të drejtojë logjistikën, të angazhojë forcat rezervë, të masë suksesin (dhe dështimin) e “krahëve” të ndryshëm të operacionit dhe të rregullojë veprimet bazuar në këtë.”

Forcat ukrainase kanë pohuar se kanë vrarë pesë gjeneralë rusë , më i fundit prej të cilëve ishte Andrei Mordvichev. Mordvichev vdiq në një sulm ajror në një post komandë në Kherson, në jug të vendit.

Vlerësimet ndryshojnë në lidhje me numrin e trupave ruse që kanë vdekur, me forcat ukrainase që pretendojnë vdekjen e mbi 14,000 trupave ruse, por Kremlini këmbëngul se ka pasur më pak se 500 viktima.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: