Ukraina ka kërkuar nga Irani të kërkojë zyrtarisht falje pasi Teherani pranoi më herët se kishte rrëzuar pa dashje avionin ukrainas, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë pasagjerëve në bord.

“Ky mëngjes nuk ishte i mirë, por ajo solli të vërtetën. Edhe para përfundimit të punës së komisionit ndërkombëtar hetimor, Irani e pranoi fajin e tij”, tha presidenti i Ukraninës, Volodymyr Zelensky, përmes një postimi në Facebook.

“Por ne insistojmë për një pranim faji të plotë. Ne presim nga institucionet e Iranit gatishmërinë për një hetim të plotë dhe të hapur, sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë, kthimin e trupave të viktimave, pagesën e kompensimit dhe kërkim faljeje zyrtare përmes kanaleve diplomatike”, ka shtuar Zelensky.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Iranit më herët njoftoi se avioni ukrainas u godit “aksidentalisht” nga sistemi iranian i mbrojtjes ajrore.

Avioni Boeing 737-800 i Linjës Ajrore të Ukrainës u rrëzua të mërkurën menjëherë pas ngritjes nga Aeroporti Ndërkombëtar Imam Khomeini i Teheranit, vetëm disa orë pasi Garda Revolucionare shkrepi dhjetëra raketa balistike në drejtim të bazave ku ishin vendosur trupat amerikane në Irak në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e Qasem Soleimanit, kreut të forcës elitare Kuds të IRGC-së, pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Bagdadit në një sulm me dron.

Në këtë aksident jetën humbën të gjithë 176 personat në bord, ndërkohë që në mesin e udhëtarëve kishte shtetas iranianë, kanadezë, ukrainas, suedezë, afganë, gjermanë dhe britanikë.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb