TIRANE- Nëndrejtoresha e Ujësjellës Kanalizime Tiranë, Etleva Budini, tha se si pasojë e shirave të dendur, rrjedhjet e ujit shkaktuan turbullira në Bovillë. Budini tha se mbrëmjen e djeshme u vendos në punë impianti i Bovillës.

“Rrjedhjet si pasojë e shirave shkaktuan turbullira. Këto turbullira nuk kishin ndodhur prej vitesh. U vendosëm në dispozicion autobote për spitalet. Dje në 21:30 u vendos në punë impianti i Bovillës”, tha Budini.

Ndërsa përgjegjësi i impiantit të Bovillës, Artan Demiri, tha se deri mbrëmjen e sotme do të stabilizohet edhe situata me ujin.

Lidhur me këtë situatë, nëndrejtoresha e UKT tha se tashmë janë analizuar monstrat për cilësinë e ujit, dhe po punohet për normalizimin e situatës.

UKT: SITUATA NË IMPIANTIN E BOVILLËS NË NORMALITET. BANORËT: NUK KEMI UJË
Megjithëse UKT njoftoi dje në mbrëmje se Tirana do të furnizohet normalisht që prej orës 22:00 me ujë të pijshëm, duket se disa zona vuajnë ende mungesën. Sipas raportimeve nga terreni, banorët të Medresesë, 21 Dhjetorit dhe rrugës “Fadil Rada” janë pa ujë të pijshëm që prej ditës së diel.

Ndërkaq UKT tha se Situata në impiantin e Bovillës është rikthyer në parametra normalë, duke bërë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë rrjetin e shpërndarjes.

“Ujësjellës Kanalizime Tiranë njofton të gjithë qytetarët se duke nisur nga ora 22:00 e mbrëmjes së djeshme, situata në impiantin e Bovillës është rikthyer në parametra normal, duke bërë të mundur furnizimin me ujë të pijshëm në të gjithë rrjetin e shpërndarjes’, nënvizohet në njoftimin zyrtar.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: