Më datën 4 shtator në pallatin e kongreseve iu nënshtruan testimit me shkrim për t’u bërë punonjës të patrullës së përgjithshme të policisë rreth 2100 aplikantë për 500 vende vakante. Nisur nga nevoja e policisë për punonjës të rinj, fitues u shpallën 1040 kandidatë sipas një rendi zbritës të pikëve. Kufiri më i ulët zbriti deri në 38 pikë nga 100 të mundshme, çka tregon nivelin e dobët të përgatitjes së kandidatëve.

Nëse i hedhim një sy listave të fituesve të viteve më parë niveli i pikëve që të bënte fitues vazhdon të zbresë nga viti në vit. Nga 74 që ishte në vitin 2014 zbriti në 50 vitin e kaluar dhe 38 për këtë vit.

Dhënia e shansit për të qenë pjesë e uniformave blu të këtyre personave me përgatitje të dobët arsimore shihet me shqetësim nga ish-drejtuesit e policisë. Në një intervistë për Neës24, ish-drejtori Arbën Hajdarmataj tha se policia nuk duhet të fokusohet vetëm tek forca fizike por duhet të tërheqë në strukturën e saj persona të përgatitur.

Hajdarmataj sugjeron që të vendoset një kriter mesatare për aplikantët po ashtu edhe të kryhet një verifikim paraprak për të shmangur futjen brenda uniformave blu të personave pa integritet dhe të lidhur me krimin.

1040 fituesit e fazës së parë të konkursit për patrullë të përgjithshme nisën këtë të martë testimin fizik pranë ambienteve të repartit RENEA në Yzberisht. Faza e dytë do të zgjasë 10 ditë dhe në secilën prej tyre do të testohen nga 100 aplikantë. Në përfundim të fazës së 2 fituesit do i nënshtrohen edhe një testi psikologjik i cili është edhe testi përmbyllës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb