Tendenca e një numri më të ulët aksidentesh që po shfaqet gjatë këtij viti ka vijuar edhe për majin edhe pse numri i të aksidentuarve dhe plagosurve në ngjarje të tilla ka rezultuar më i lartë sesa në raport me një vit më parë. Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi aksidentet rrugore tregojnë se në muajin Maj 2022 numërohen 106 aksidente rrugore nga 120 aksidente të ndodhura në muajin Maj 2021, duke u ulur me 11,7 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, numërohen 483 aksidente rrugore nga 547 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u ulur me 11,7 %.

“Në muajin Maj 2022, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 156 persona nga 151 që ishte në të njëjtën muaj të një viti më parë. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, numri i të aksidentuarve është 680 persona nga 714 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në muajin Maj 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 19 persona, nga 20 persona të vdekur në Maj 2021. Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 75 persona nga 90 persona të vdekur në pesërmujorin e parë të vitit 2021” thuhet në publikimin e INSTAT.

Lidhur me shkaqet e aksidenteve raporti tregon se në muajin Maj 2022, aksidentet rrugore, në 86,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.

“Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha deri 24 vjeç, duke zënë 30,2 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 28,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në pesëmujorin e parë të vitit 2022, aksidentet rrugore, në 13,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur me 36,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në raportin e INSTAT./Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: