Ulet numri i shtrimeve në spital të rasteve me koronavirus. Kështu, në një përllogaritje të një periudhe 1 javore, nga dita e shtunë e deri më sot (e shtunë) ka 67 shtrime më pak. Ky fakt u bë i ditur nga gazetari Erjon Skëndaj në një lidhje direkte për ‘News24 nga spitali Infektiv.

Sipas tij, ditën e sotme në COVID 1 deri më tani janë paraqitur 3 autoambulanca me pacientë, ndërsa në këtë spital janë të shtruar 85 pacientë nga 120 që ka kapacitet. Ndërkohë në COVID2 situata paraqitet edhe më e normalizuar, ndërsa ka 140 shtrime nga 250 në total. Skëndaj tha se në spitalin COVID 3 ka 110 pacientë të shtruar, në gjendje mesatare dhe të lehtë.

Po ashtu ai bëri të ditur se një peshë të madhe po mbajnë dhe spitalet rajonale, ku përllogaritet afërisht se po trajtohen 170-180 pacientë. Duke u ndalur tek testimet e Skëndaj tha se kemi rënie të tyre, ndërsa shtoi se po kryen 2141 teste në ditë. Ndërkaq, numri aktiv i personave me COVID-19 është rreth 23 mijë, me një rënie minus 180 raste. Gazetari Skëndaj tha po ashtu se në datën 6 dhjetor ka qenë piku i shtrimeve në spital, ku të hospitalizuar kanë qenë 490 pacientë me COVID-19.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb