TIRANË

Autoriteti Rrugor Shqiptar përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat iu bën apel drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore.

Mes tjerash, në porosinë  drejtuar shoferëve, ARRSH-ja thekson se në disa zona të vendit priten reshje dëbore dhe temperaturat do të jenë shumë të ulëta.

“Autoriteti Rrugor Shqiptar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Qarkullimit Rrugor dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Emergjencave Civile paralajmërojnë të gjithë drejtuesit e mjeteve se temperaturat do të jenë shumë të ulëta dhe se priten reshje bore në zonat malore.

Rekomandohet që në Segmentin Librazhd-Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë qarkullimi i mjeteve të bëhet me goma dimërore gjatë natës, apo edhe me zinxhir nëse do të njoftojmë se është i nevojshëm në orët në vazhdim, pasi pritet që të ketë reshje bore dhe temperatura shumë të ulëta.

Apel për përdoruesit e rrugës: I rikujtojmë që duhet të tregojnë kujdes dhe të respektojnë sinjalistikën rrugore. Të vendosin gomat dimërore në segmentet rrugore që kemi njoftuar, të respektojnë Patrullën e Policisë në terren dhe të lëvizin me shpejtësi të reduktuar”, thuhet në njoftim.

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb