Në takimin e zhvilluar në Kamëz, ish-kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se politika e vjetër, luan lojën e saj dhe se nuk është e angazhuar t’u shërbejë qytetarëve, por synon vetëm pushtetin.

“Ulni thikat, ai që i ngriti i pari. E kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë. Rama vjen dhe hedh valle me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh”, tha Basha.

I pyetur lidhur me akuzat e ish-kryeministrit Sali Berisha, Basha tha se janë të shqetësuar nga dalja e tij dhe kërkesat kryesore të tij për vettingun politik, listat e hapura si edhe kufizimin e mandatit të kryeministrit.

“Nuk është shqetësuar vetëm ai nga dalja, por shumë të tjerë. E kanë monopulizuar debatin publik dhe duan të dalin vetëm ata të tre dhe kukullat e tyre. Unë kam vetëm pak ditë që flas për të gjitha problemet dhe thelbi është që vendimmarrja t’i kalojë qytetarëve. Këta duan monopol mbi politikën , median , ekonominë dhe duan që Shqipëria të mbetet i atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, tani duhet t’i japim zë shumicës së shqiptarëve. Ky është angazhimi im dhe për këtë kam dalë të flas me qytetarët, për listat e hapura sepse vendosni ju, vettingu politik u djeg sepse duan të shajnë pa shkuar më tej, pa hapur letra. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani, le ta fillojnë me mua dhe jo me ata të tre. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe të atyre dhe të shohim a i justifikojnë apo jo. Ky është Vettingu i politikanëve. Këtë se duan sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon , apo futet dikush tjetër që nuk nda agjendën e tyre. Por unë jua përsëris: A janë për vettingun politik, listat e hapura , për kufizimin e mandatit të kryeministrit, po apo jo? Sa për avazin e vjetër, po mundohet të heqë vëmendjen nga përgjegjësia për humbjen e 14 majit me sulmet ndaj meje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: