Një akt vandal që ka zemëruar shqiptarët, jo vetëm në Ulqin, por edhe më gjerë. Persona të paidentifikuar ende, kanë hequr dhunshëm flamurin kombëtar shqiptar nga muri i ndërtesës së selisë së Këshillit Kombëtar Shqiptar (ККSH) në Malin e Zi në Ulqin.

Në komunikatën për opinion të KKSH thuhet se “gjatë natës ndërmjet të mërkurës dhe të enjtës, nga zyrat të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, është hequr me dhunë Flamuri kombëtar i shqiptarëve, së bashku me mbajtësen metalike e cila ishte e vendosur në mur, ndërsa flamuri është vjedhur”.

KKSH dënon ashpër kryersit e këtij akti vandal, i cili prish harmoninë ndëretnike dhe është tentativë për ndalimin e shprehjes së lirë të përkatësisë kombëtare shqiptare. Mendojmë se këto lloj veprimesh të papranueshme i takojnë kohërave të kaluara, për të cilat kemi menduar se i kemi lënë pas.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve shpreh shqetësimin për aktet e tilla të urrejtjes, ndaj popullit shqiptar, sepse janë të dëmshme për demokratizimin e shoqërisë. Këshilli për këtë ngjarje e ka lajmëruar policinë.

Shqiptarët në Malin e Zi, me veprimet e deritanishme kanë kontribuuar dhe kontribuojnë në tolerancën ndërnjerëzore duke respektuar veçantitë e të gjithë popujve që jetojnë në Ulqin dhe në Mal të Zi.

“Ky nuk është rasti i parë, pasi që një veprim i ngjashëm ka ndodhur edhe me 1 qershor 2015, ku në të njëjtën mënyrë është hequr flamuri kombëtar”,- na deklaruan zyrtarët më të lartë të KKSH.

“Ne nuk duam dhe nuk mundemi të merremi me paragjykime se kush janë autorët dhe për çka është bërë kjo vepër vandale, por apelojmë dhe ftojmë të gjitha organet kompetetne, e në veçanti Policinë e Ulqinit ,e cila objektin e Këshillit Kombëtar e ka përballë (disa metra larg), që të merren me zbardhjen e autorëve të kësaj vepre penale në mënyrë urgjente”,- theksohet ndër të tjera në këtë komunikatë të KKSH, të nënshkruar nga kryetari Genci Nimanbegu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: