TIRANE

Deputeti i Partisë Socialiste, Musa Ulqini i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 komentoi situatën aktuale politike të krijuar pas vendimit të opozitës për të djegur mandatet. Sipas tij, Argumenti i vjedhjes që votave që del dy vite pas zgjedhjeve është thjesht alibi, është në kufijtë e qesharakes.

Ai tha se me këtë vendim, për të cilin opozitarët nuk kanë tagër ta bëjnë nuk dëmtohen vetëm ata, por dëmtohen shqiptarët, dëmtohet e ardhmja europiane, siç tha ai.

“Është e vështirë të japësh përgjigje fundore, pasi një gjë e tillë ndodh për herë të parë, plus që ende nuk ka marrë formë. Asnjë çështje nuk argumenton vendimin e marrë nga lidershipi i opozitës. Mandatet nuk t’i jep Kongresi dhe Këshilli i partisë. Ditën që ti betohesh në Parlament, nuk e bën para kryetarit por para qytetarëve që na kanë votuar dhe përpara Kushtetutës. Nuk ke të drejtë të vendosësh për diçka që është përtej tagrit tënd. Megjithatë edhe nëse ndodh, Parlamenti do vijojë të jetë legjitim sa kohë mazhoranca është në përputhje me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Në demokraci shumicat qeverisin. Ne kemi 74 mandate. Kjo nuk e cenon legjitimitetin e Parlamentit. Me këtë veprim ata nuk djegin thjesht mandatet, por të ardhmen e shqiptarëve në BE”,- tha deputeti.

Por pavarësisht situatës së krijuar ai tha se, qeveria nuk ka arsye ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme.

I pyetur për konferencën e paralajmëruar nga kryeparlamentari Ruçi sot në orën 17:00, një ditë para protestës së opozitës, nëse do të njoftonte ky i fundit ndryshimin e orarit të seancës së nesërme parlamentare, Ulqini tha se nuk ishte në dijeni të një fakti të tillë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb