Nga: DIANA KASTRATI*
TIRANE – Lajmin e humbjes së tij, e mësova mbrëmë vonë, apo më mirë sot në mëngjes në orën 01:05 të datës 20 shkurt. Më lajmëroi me telefon një mik i imi. Tronditja ishte e atyre përmasave që njeriu ia atribuon orës së pazakontë për të marrë vesh një lajm kaq definitiv sa ç’është edhe vetë vdekja. Por, nëse mëngjesi të gjen me të njëjtat ndjesi, nuk mund të fajësohet mbrëmja. Rrezikon të tingëllojë patetike, e di, por nuk besoj se kjo ndjesi vetjake të jetë kaq sipërfaqësore. E konfirmimi më erdhi po aq shpejt nga leximi i titujve kryesorë të gazetave jo vetëm italiane, por edhe të atyre më prestigjioze ndërkombëtare. E jo vetëm kaq; rezultatet e reagimeve të social mediave ndaj kësaj humbjeje dëshmonin për një fenomen thuajse të pangjarë ndonjëherë: në pak minuta ‘Twitter’-i kishte shpërthyer duke e transformuar emrin e tij në majë të trendit italian.

Nuk ndodh as me ngjarjet më të bujshme të kronikave “rozë”, të “zezë” a “jeshile”; nuk ndodh as me ndeshjet e kategorisë A apo me modën, nuk ndodh as me videot virale. Mbase, kemi të bëjmë me zbatimin e teorisë interpretative të tij: shuarja e njërit prej korifenjve të kulturës humanistike, qe një shenjë e qartë e asaj që njerëzit, pavarësisht formimit profesional, statusit social, moshës, breznisë së cilës i përkasin, ditën ta interpretonin në unison. Një sinjal modern përmes Internetit, simbol par exellence i kohëve moderne, për të cilin ai, njeriu i mendimit katërcipërisht të pavarur, kishte qëndrime jo edhe fort pranuese, as politikisht korrekte. Ai u pati shprehur se “social media-t ia japin të drejtën e fjalës, legjioneve të budallenjve që dikur flisnin në bar pasi kishin pirë një gotë verë, por pa e dëmtuar komunitetin. Atyre, ua mbyllnin gojën menjëherë, ndërkohë që sot gëzojnë të njëjtën të drejtë fjale si të dikujt që ka fituar Çmimin Nobël. Ky është sundimi i budallenjve”. E të kujtojmë që fraza të tilla tejet të forta janë shqiptuar herët nga ana e tij. “…drama e Internetit është që këtë budalla e promovon si zërin e së Vërtetës…”. Umberto Eco i fton gazetat “që të filtrojnë me ekipe specialistësh informacionet e internetit sepse në ditët e sotme, askush nuk është në gjendje më që të kuptojë nëse një sit është i besueshëm apo jo… Gazetat duhet t’u kushtojnë të paktën dy faqe analizë kritike siteve të internetit, ashtu sikurse profesorëve do të duhej t’u mësonin të rinjve se si t’i përdorin sitet për të zhvilluar esetë e tyre.”.

Ky lloj guximi, mirëfillazi autentik e intelektual, i ndeshur krejt rrallë në epokën moderne, mban vulën e pangatërrueshme të atij që gjykimin e ka të mbështetur në bibliotekën e Dijes universale, Lexues Model i të cilit ishte; ky ishte guximi i atij që, me qetësinë e një Guru-je, mund të përballet me denigrimin e menjëhershëm që mund të sjellë në kohët e sotme “përbindëshi” Media sociale.

Umberto Eco nuk është fenomen i izoluar në sfondin e kulturës italiane. Qëndrimi avangardist i tij, veçanërisht në lidhje me efektet e massmediave, nuk është rastësor. Pier Paolo Pasolini, intelektuali tjetër i pazakontë dhe i parakohshëm italian, pikërisht në këto vite fliste mbi rolin ndikues të televizionit në kulturën e masës. Por, nëse Pasolini ishte vërejtësi vizionar e profetik i fenomenit mediatik të pakthim tashmë e që sapo e kishte filluar rrugëtimin e vet, Eco është përmbushësi i misionit për përdorimin racional e të kujdesshëm që u duhet bërë mjeteve të massmediave. Ai shtron me të fortë në një seri artikujsh rrezikun që vjen nga kundërkultura, nga lidhja midis diktaturës dhe kulturës së masave, nga kulti i traditës, nga refuzimi i modernizmit, nga frika që vjen nga “e ndryshmja”, nga obsesioni i komplotit, nga maçizmi, nga “populizmi cilësor TV e internet” e shumë fenomene të tjera. Në 1954 kur punonte për RAI-n, bashkë me të punojnë edhe dy emra të tjerë të ndritshëm të kulturës italiane si Furio Colombo e Gianni Vattimo. Këtij grupi i detyrohet rinovimi autentik i ambientit kulturor të televizionit, duke u quajtur në vijim si promovuesit e vërtetë të kësaj fryme kulturore. Duke punuar aty, ai u nxit të shkruante me të njëjtin guxim intelektual e provokativ që e karakterizoi deri në frymën e fundit, një artikull të famshëm mbi Fenomenologjinë e Mike Bongiorno-s (1961). Mbetet i mirënjohur për anketimet e tija brilante, të cilat përmblidhen në Diario minimo (1963); Il superuomo di massa (1976); Sette anni di desiderio (1983); Il secondo diario minimo (1992).

Erudite mbetet rubrika e themeluar nga ai La bustina di Minerva (Zarfi i Minervës), në të përjavshmen L’espresso, nga 1985-2016. Titull i denjë me ndërmendjen e Minervës perëndeshës së Dijes, i asaj përmbajtjeje që përgjithëherë cekte me inteligjencë argumentuese e provokuese çështje të kulturës të të jetuarit. Publicist me zë të fuqishëm edhe në gazetat e tjera si Il Giorno, La Stampa, Corriere della Sera, la Repubblica. Ai pasuroi kulturën italiane me orientime teorike në fushat e semiotikës, kritikës letrare dhe asaj sociale, duke zbuluar aftësinë e lakmueshme për të shndërruar teorinë semiotike të thatë në një zbavitje intelektuale. I mbiquajtur si “babai i Semiotikës”, ai hap hullinë e një serie veprash studimore si Opera aperta, (1963), i cili përpos suksesit ndërkombëtar i dha zë në nivel teorik lëvizjes së avangardës letrare e artistike italiane. Në 1968 boton librin e tij të parë të teorisë semiotike, Struktura e munguar; i ndjekur nga libri tjetër, Traktati i semiotikës së përgjithshme (1975), Semiotika e filozofia e ligjërimit (1983); Mbi kërkimin e gjuhës së përsosur (1993), ku ndalet mbi kodet e komunikimit artistik.

Kritik ndaj konceptimeve ontologjike të interpretimit, ai e vendos theksin mbi raportin autor-lexues në disa vepra, si: Lector in fabula (1979), Kufinjtë e Interpretimit (1990), Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë (1994, cikël konferencash-leksione të mbajtura në Harvard University në 1993); Mbi Letërsinë (2002) etj.

Koncepte aq të mirënjohura tashmë për ata që notojnë në fushat e kritikës letrare e artistike si Autor Model e Lexues Model, mbajnë vulën e Umberto Eco-s. Koncepte që revolucionarizuan, modernizuan teorinë letrare, shkundën skemat e ngurta të interpretimit, rimodeluan shkollën e kritikës klasike.

Në perceptimin kolektiv, Umberto Eco asociohet kryesisht me atë të shkrimtarit. Krejt legjitime, nga momenti që letërsia ka impaktin më të fortë me masën e madhe, në një kohë që studimet e specializuara do të vuajnë gjithmonë statusin e “izolimit akademik”. Në fakt, suksesi dhe fama në nivel ndërkombëtar i Eco-s vjen me botimin e romanit të parë të tij Emri i trandafilit (1980, Çmimi Strega). Një roman që u fut në 100 librat më të mirë të shekullit të XX-të. Një thriller gotik i vendosur në një sfond kohor të Mesjetës së kuvendeve të murgjërve e që zhvillon me një racionalizëm të kthjellët subjektin e një debati ideologjik. Një sukses i jashtëzakonshëm si nga ana e kritikës ashtu edhe nga ai i publikut. Bëhet best-seller ndërkombëtar i përkthyer në 47 gjuhë të botës dhe i shitur në 30 milionë kopje. Më të përpunuar në ligjërim e në teknikë kompozuese rezultojnë romanet e tjera, si Lavjerrësi Fukoit (1988), një satirë e interpretimit paranojak i fakteve të vërteta apo legjendare të historisë dhe vështrimi mbi sindromën e komploteve; Baudolino (2000); Historia e Bukurisë (2004); Varreza e Pragës (2010), përmbledhja me ese Të ndërtosh armikun (2011); Numri Zero (2015).

Në romanet e tij, Eco rrëfen histori reale, por edhe legjenda që kanë si protagonistë personazhe historikë ose të shpikur. Në veprat e tij ai vendos debate filozofike mbi ekzistencën e boshllëkut, ekzistencën e Zotit apo natyrën e universit. Ai është i tërhequr nga tema kryesisht misterioze e të errëta (si kavalierët Templarë, Sindona e shenjtë etj.).

Eco ishte ndër ata emra të ndritshëm të kulturës që figurën e vet e ruajti shkëlqyeshëm nga “virusi” mediatik televiziv. Janë krejt të rralla daljet e tij në televizion. Personalisht, pata pasur fatin ta ndiqja rastësisht në një lidhje të drejtpërdrejtë prej 10 minutash maksimumi, brenda një edicioni lajmesh të RAI 1, vite më parë, nga Panairi i Librit i Frankfurtit ku ai ndodhej. Ishte krejt e papritur ndjesia që provova: një njeri fort energjik, me ritëm të shpejtë të të folurit, me një zë jo fort profesoresk klasik akademik, me një thjeshtësi fraze që të linte në mëdyshje midis perceptimit që të krijohet kur e lexon e atij që e dëgjon; një tis i hollë ironie e madje me raste cinizmi. U ndjeva e keqardhur për faktin që nuk kisha qenë asnjëherë në leksionet e tij. U ndjeva me fat, vite më vonë kur pata fatin që të përktheja pikërisht një nga veprat e tij të mbajtura në formë leksionesh a konferencash në Harvard University. Ekzaltohem sa herë i referohem atij duke u transmetuar studentëve trashëgiminë e tij gjatë orëve të leksioneve në lëndën e Semiotikës. E megjithatë, “grimcat” e iluminizmit të tij kanë mbërritur edhe te ne. Umberto Eco ka “zbarkuar” në tokën shqiptare prej vitesh nëpërmjet përkthimeve të disa prej veprave kryesore të tij, si ato studimore, ashtu edhe ato letrare, vepra të cilat janë futur tashmë në programet studimore akademike. Mendja e tij brilante, e sofistikuar, Dija e pasinuer e tij, bën që këto vepra të jenë të stërmbushura me citime e referenca kulturore që mund ta “shqetësojnë” lexuesin shpeshherë. Bëhet fjalë për referenca që i përkasin thuajse ekskluzivisht filologëve e bibliofilëve. Por, edhe këtu na vjen në ndihmë vetë Eco me teorinë e famshme të tij të Lexuesit Model.

Një nga shprehjet e tij që është cituar më së shumti në këto orë, është pikërisht kjo: “Kush nuk ka lexuar, kur të bëhet 70 vjeç, do të ketë jetuar vetëm një jetë: të vetën. Ai që lexon, do t’i ketë jetuar 5000 vjet… Të lexuarit është një pavdekësi e lënë pas.” E nuk mund të ishte ndryshe për një Titan të tillë. Andaj zbrazja që të vjen nga marrja e lajmit të ndarjes së tij nga kjo jetë, nuk mund të jetë kurrsesi për thjesht njeriun Eco. Humbjet e këtij lloji të kujtojnë se, për sa kohë ka akoma në horizontin diturak shkëlqime të tilla cerebrale që ndikojnë fuqishëm në hapjen e mendjeve, gjallojnë, ndihesh disi rehat. Modeli ekziston. Ai është aty. Në dallim me shkencat e sakta, shkencat humanistike kanë vështirësi të ndërfuten ngutshëm në ritmin e ndryshimeve njerëzore. Ato duan kohën e tyre, laboratorin e tyre. E, mbase sot, njëri prej këtyre Modeleve iluminuese iku, me shpresën se do të vijë momenti që të tjera Modele frymëzuese t’i aviten njerëzimit.

Atributi më i zakonshëm, në dukje, që mund t’i jepet Atij, është ai i Titanit të Dijes. Megjithatë unë parapëlqeva termin “poliedriku”. Po. Sepse në kohërat moderne specia e poliedrikëve është thuajse në shuarje. Gama tejet e gjerë e interesave dhe lëvrimeve të tilla na e jep të drejtën që ta quajmë të tillë, mbase ndër të fundmit e poliedrikëve që të ngjashëm kanë vetëm figurat e dikurshme mesjetare që gjalluan universin letrar të tij.
* Studiuese
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: