TIRANE

Kreu i PD, Lulzim Basha ka marrë pjesë në protestën e banorëve të zonës së Astirit të cilët preken nga projekti i Unazës së Re. Në ditën e 46 të protestës, Basha paralajmëroi se nesër PD do publikojë fakte dhe dokumente të reja të asaj që ai e quan aferë korruptive.

Sipas Bashës, Rama jo vetëm që ka dashur të vjedhje 40 mln euro nga buxheti i shtetit, por do të ndërtojë pallate me paratë e drogës. Basha tregoi dhe emrin e biznesmenit i cili sipas tij do të ndërtojë pallate tek Unaza e Re.

Kjo është aferë korruptive. Kjo që them sot nuk është thjesht një gisht akuze ndaj Ramës. Çdokush e di që i vetmi njeri që mund të vërë në lëvizje ARRSH, ministrinë, bashkinë dhe t’i lidhë veshët dhe sytë Arta Markut, këtë qytetarët e dinë fare mirë. Nesër do publikojmë një pjesë tjetër të kësaj afere korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë mbi 40 mln euro nga buxheti i shtetit, por mbi këto rrënoja do të ndërtojë pallate shumëkatëshe.  Nësër para qytetarëve do të shpaloset me dokumente zyrtare se si Edi Rama dhe Erion Veliaj ndryshuan Planin urbanistik për ti dhënë leje një krimineli të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge, një personi i cili njihet si mik, si bashkëpunëtor i kupolës socialiste Edmond Bego. Në kushtet kur Prokuroria nuk vepron, qytetarëve u ka mbetur vetëm rruga e protestës”- tha Basha.

Fjala e plotë e Bashës:

Gjatë gjithë këtyre javëve, shqiptarët kanë parë me sy e dëgjuar me veshë se si këtu ku ne qendrojmë sot është konsumuar vjedhja më makabër në 28 vite të pruralizmit. Pse?! Nuk janë mjaftuar thjeshtë dhe vetëm me një tender korruptiv 40 milionë euro për 2 kilometra pa garë.

Nuk janë mjaftuar me pastrimin e parave të pista përmes një kompanie fantazëm dhe llogarive të saj në parajsa fiskale, por për të çuar deri në fund planin e tyre kanë dashur të pirshin shtëpitë e mbi 1 mijë familjeve ku jetojnë në 317 shtëpi të kësaj zone për ti nxjerrë nga shtëpitë në mes të dimrit vetëm e vetëm që porositësi, ideatori dhe përfituesi i kësaj afere kriminale dhe korruptive, Edi Rama, ta çonte deri në fund planin  e tij.

Kjo që them sot nuk është thjeshtë një gisht akuze ndaj Edi Ramës. Çdokush e kupton dhe e di se i vetmi njeri që vë në lëvizje ministrinë e Infrastrukturës, ARRSh-në, Policinë e Shtetit, Policinë Bashkiake, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Financave, Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, dhe në të njëjtën kohë tia lidhë duart dhe këmbët e ti mbyllë gojën, sytë dhe veshët Arta Markut, cili është i vetmi personqë ka këtë fuqi në Shqipëri? Këtë qytetarët e kanë kuptuar fare mirë.

Nësër partia Demokratike do të publikojë një pjesë tjetër po kaq të errët të kësaj afere korruptive. Jo vetëm që Edi Rama ka dashur të vjedhë dhe vazhdon të përpiqet të vjedhë këtu mbi 40 milionë euro nga Buxheti i Shtetit  por së bashku me figurat e krimit të organizuar, mbi rrënojat e shtëpive që do të prishë do të ndërtojë pallate shumëkatëshe. Nësër para qytetarëve do të shpaloset me dokumente zyrtare se si Edi Rama dhe Erion Veliaj ndryshuan Planin urbanistik për ti dhënë leje një krimineli të dënuar me 21 vjet burg për trafik droge, një personi i cili njihet si mik, si bashkëpunëtor i kupolës socialiste Edmond Bego.

Për tju freskuar kujtesën qytetarëve, Edmond Bego është njeriu i cili në kundërshtim me ligjin ndonëse i dënuar nga drejtësia italiane dhe vuajti një pjesë të dënimit këtu në Shqipëri, mori mbi 14 milionë euro tendera në rrugën e Elbasanit, në zonën elektorale të Taulant ballës me të cilin ka udhëtuar plot 57 herë jashtë shtetit në katër vitet e fundit.

Nuk është pra, rastësi por është provë e përfshirjes së drejtëpërdrejtë e Edi Ramës dhe kupolës së tij, është pjesë e përgjegjësisë kriminale të Edi Ramës dhe Erion Veliajt që shtëpitë e këtyre shqiptarëve këtu, e këtyre banorëve, e këtyre vogëlushëve, do prisheshin që të ndërtonte pallate shumëkatëshe një person i dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe për të pastruar paratë e drogës, dhe për të ndarë kaparin me Edi Ramën, me Erion Veliajn, me Taulant Ballën, dhe me kupolën socialiste.

Mosveprimi i prokurorisë tregon jo vetëm e thjeshtë kapjen e prokurorisë nga Edi Rama, fundin e drejtësisë në Shqipëri, por po tregon po kështu se Arta Marku dhe kupola e saj janë bashkëfajtore dhe çdokush ka të drejtën të pyesë dhe të akuzojë sot; a keni marrë edhe ju pjesë, a jeni edhe ju pjesë e pazarit të ndyrë të krimit të organizuar për të shkatërruar shtëpitë e shqiptarëve, për të vjedhur taksat e shqiptarëve dhe për të pastruar paratë e krimit të organizuar me shumëkatëshet që do të dnërtojë këtu eksponenti i krimti të organizuar, ortaku i Taulant Ballës dhe Edi Ramës me firmën e Erion Veliajt?!

Protesta e banorëve të Unazës nuk ka ndalur. Ne jemi në krah të tyre. E gjithë Shqipëria është në protestë. Studentët janë në protest për të drejtat e tyre, për paratë e prindërve të tyre që në vend që të financojnë librat, konviktet, universitetet, cilësinë e mësimdhënies, zhduken, vidhen dhe shpërdorohen.

E gjithë Shqipëria është në protestë sepse populli më i varfër në Europë paguan çmimin më të lartë të karburantit në Europë e gjetkë.

E gjithë Shqipëria është në protestë sepse një pensionisti që pasi paguan faturen e dritave me çmimin më të larta në rajon, nuk i mbeten më para vetëm sa për të paguar ilaçet dhe bukën e gojës. Partia Demokratike dhe opozita janë në krah të qytetarëve kudo që ndodhen, kudo që ata protestojnë.

Ora e errësirë ka filluar të zbrapset, kjo falë kurajos së banorëve të Unazës së re, të cilët treguan para të gjithë shqiptarëve fytyrën e vërtetë të Edi Ramës. Këtij hajduti grabitqar, të këtij hajduti psiqik, i cili sot nuk gënjen dot më askënd.

Merita e kësaj proteste e në veçanti merita e protestës së studentëve është që sot në Shqipëri nuk ka më asnjë konsumator të propagandës dhe mashtrimit të Edi Ramës. Ai është zbuluar para shqiptarëve si një hajdut, si një grabitqar që ka një dhe vetëm një politikë: grabitjen e qytetarëve dhe të pasurisë së tyre.

Në kushtet kur ligji ka pushuar së ekzistuari, ku prokuroria nuk vepron, qytetarëve të çdo vendi të civilizuar, qytetarëve shqiptarë i ka mbetur një rrugë dhe vetëm një rrugë: rruga e protestës, rruga e përballjes. E kanë zgjedhur këtë rrugë dhe ne i mbështesim, ne i nxisim dhe do ti qëndrojmë fort në krah të tyre deri sa ta sprapsim të keqen, të mbrojmë dhe të garantojmë të drejtën e tyre, pronën e tyre, jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb