TIRANE

Kryetari i PD-së Lulzim Basha i është bashkuar sërish sot protestës së banorëve të Unazës së Re, të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë për shembjen e banesave të tyre pa u dëmshpërblyer.

Në një prononcim për mediat nga protesta Basha sulmoi ashpër kryeministrin Edi Rama, ndërsa tha se ky projekt antiligjor që sipas tij ka vlerën e 40 milionë euro, është për vilën e tij në Surrel.

“Edi Rama është një hajdut, sepse do të vjedhë 40 milionë euro, duke shkelur ligjin, duke shkelur ligjin e prokurimeve, duke shkelur ligjin e legalizimeve, duke shkelur kushtetutën, duke shkelur ligjet për shpronësimet. Ky nuk është projekt për qytetin e Tiranës, ky është projekt për Vilën e Surrelit. Agai i Surrelit do që me një të rënë të lapsit, të marrë 40 milionë euro, pasi pazaret i ka bërë kokë për kokë, është ulur ai kokë më kokë për të bërë pazaret e tenderit, për të vjedhur 40 milionë euro. Ndërsa ne jemi këtu në krah të këtyre njerëzve për t’i mbështetur dhe për të denoncuar këtë megavjedhje”, tha Basha.

Zoti Basha, janë shoqëruar me dhjetëra protestues, çfarë ka bërë opozita për ta? Ka marrë informacionin e duhur ku janë shoqëruar këta protestues, dhe çfarë do bëhet në vijim?
Ne jemi 24 orë pranë tyre, kudo ku ata janë shoqëruar ka pasur deputetë të opozitës, u kemi ofruar ndihmë ligjore dhe u kemi ofruar familjarëve të tyre gjithë solidaritetin, ndihmën dhe mbështetjen tonë, shpirtërore, ligjore dhe të gjithanshme.

A ka ndryshime gjatë këtyre 24 orëve, ka ndryshuar situata…?
Ka ndryshuar. Po ju s’keni hetuar fare për këtë punë, prisni të vij unë t’jua them? Hetojini dhe ju se sa janë, sa janë liruar, se kush janë këta persona, pse janë ndaluar. Bëni edhe ju punën tuaj, mos prisni të vij unë t’jua them gjithçka. Qytetarët nuk duhet të presin që kjo e keqe të vijë në dyert e tyre, por duhet të bashkohen këtu, sepse kjo betejë nuk është vetëm për këta protestues dhe familjet e tyre, por është për të gjithë qytetarët. Shikoni, ato 40 milionë euro që do të marrë agai i Surrelit, se ky është projekt i Vilës së Surrelit, nuk është projekt i qytetit të Tiranës. Kjo është megavjedhje. Nuk ka në analet e historisë së infrastrukturës botërore, ky është kandidat për librin Guiness për vjedhjen që po bëhet këtu, dhe kjo vjedhje bëhet drejtpërdrejt nga Edi Rama. Pse nuk është bërë prokurimi? Sepse ky vetë është ulur kokë më kokë me ato 3 kompanitë dhe u ka thënë: ti do marrësh kaq e unë kaq. Kështu me të dytin e kështu me të tretin. Ky është projekt i Vilës së Surrelit. Vila e Surrelit do të lërë këta vogëlushë pa shtëpi. Për Vilën e Surrelit, për xhepat e tij, për pasurinë e tij, i ka traumatizuar gjithë këta familjarë. Pra, ka treguar se është në gjendje që të shkelë jo vetëm mbi ligjin e kushtetutën, por mbi sigurinë e këtyre familjeve, mbi jetën e këtyre vogëlushëve, prandaj u them gjithë shqiptarëve: Ngrihuni, sa nuk është vonë, këtu dhe kudo që të jenë!

Çfarë do t’u sugjeroni banorëve të Astir-it, pas protestës së djeshme?
Unë nuk kam nevojë t’u sugjeroj asgjë banorëve të Astirit. As unë e as ju. E dinë vetë se çfarë bëjnë. Një gjë ju kam thënë, do të jemi në krah të tyre dhe jemi në krah të tyre.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: