TIRANE

Analisti Besnik Mustafaj teksa ka analizuar protestën e dhunshme që ndodhi dje para Kuvendit, ku banorët e Unazës së Re u përleshën me policinë, theksoi se incidenti në fjalë nuk duhet dramatizuar.

I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Mustafaj tha se gjithmonë në protesta të tilla ka gjithmonë persona që provokojnë.

Po ashtu ai theksoi se në protesta të tilla duhet të marrin pjesë policë të përgatitur dhe me përvojë dhe jo pa eksperiencë. Mes të tjerash Mustafaj tha se maxhoranca ka tentuar që t’i manipulojë protestuesit.

“Ngjarja e djeshme do një lexim të vëmendshëm nga të gjithë aktorët. Shpreh keqardhje për incidentin e ndodhur me punonjësen e policisë. Në këtë rast kuptoj se çohen policë të pakualifikuar për të përballuar ngjarje të tilla. Në vende të tjera ku protesta është e mbrojtur me ligj, gjithmonë mendohet rreziku dhe nuk çohet një vajzë e re. Janë të trajnuar për këtë gjë. Dinë rregullat se si përballohet një ngjarje e tillë. Duhet të lexohet siç duket kjo ngjarje nga maxhoranca dhe politika në tërësi. Duhet të lexohet me kujdes edhe nga opozita, e cila sigurisht që do t’i dalë në mbështetje dhe do të artikulojë këtë ngjarje. Ajo duhet të shoh sjelljen e vet ndaj një proteste.

Nuk ka asnjë ligj që thuhet se prona e tjetrit duhet prishur pa asnjë dëmshpërblim. Ne kemi 20 vite që ndërtojmë në mënyrë të paligjshme. Shteti ka përgjegjësi edhe pse i ka lejuar që të ndërtojnë atje. Shteti është për ta penguar qytetarin kur ai gabon. Janë kursimet e familjareve, janë shumë faktorë. Është krejt normale që opozita të bëjë ç’është në dorë politikisht për ta bërë të qëndrueshme ketë protestë, që mos të thyhet dhe mos të manipulohet dhe krerët e saj mos të ‘blihen’. Pasi nga informacionet që kam unë, maxhoranca ka tentuar që t’i manipulojë”, tha Mustafaj.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: