Kudo qepena mbyllur. Rrugët bosh. Shumë pak makina në lëvizje. Tek- tuk njerëz që ecin me maska në fytyrë, me hap të shpejtuar, sikur ia mbathin nga dikush. Një zë dëgjohet nga larg. “Qëndroni në shtëpi…”. Kryeqyteti hesht nën frikë. Është mëngjes. Po bëhem gati për të shkuar në punë. Përveç ritualit të përditshëm të veshjes dhe pak grim, i shtohet edhe “armatosja” me maskë dhe doreza. Bëhem gati të dal në botën jashtë, tek e pasigurta. Lëvizjet e mia nëpër shtëpi ndiqen nga sytë e pafajshëm të tim biri, që nuk e kupton se mjetet e mia të reja të punës nuk janë “loja e teta doktoreshës”. Mbrëmë vonë, para se të flinte më pyeti: -“Çfarë është kolonavitusi (nënkupton coronavirusi )?”.
(Nuk ka faj që më pyet! E ka dëgjuar kaq shpesh këto ditë në bisedat e mia apo në televizor).

Dori
Dori

-“Një përbindësh i vogël, i padukshëm është Adeo, që na hyn fshehur në trup dhe na sëmur”, i thashë.
-“Ta godasim mami! Bëhem unë i fortë si Hulku. Bam bam…”, me tha.
-“Jo, Adeo! Ne e vrasim vetëm nëse qëndrojmë në shtëpi”, i thashë.
-“Do ta lemë të ndihet vetëm, të mërzitet e të ikë”.
U bind menjëherë.
-“Mirë, do rri në shtëpi. Nuk dal asfare”.
Kapërcej derën. Nis aktivitetin tim të përditshëm, që nuk i ngjan më së djeshmes. Aktualiteti tashmë nuk është i njëjti. Tek objektivi i vogël i kamerës përcjell atë që ndodh, duke treguar kujdes në çdo hap e çdo detaj, që të mos ndeshem me “përbindëshin e vogël që na sëmur” dhe të kthehem e shëndetshme në shtëpi.
Mbushem me shpresë kur shoh se, shumë si unë i kanë shpallur “luftë” kësaj të panjohure. Por, fatkeqësisht nuk janë të pakët edhe ata “trima” që e kanë në majë të gjuhës shprehjen “si ta kemi kismet”.
Nuk mbrohen, rrinë grumbull, pështyjnë, teshtijnë e plot e plot sjellje absurde, a thua se qyteti është vetëm i tyre. Çfarë kuptimi ka shprehja “si ta kemi kismet” kur ti minimumi nuk do veten tënde. Nga pret të të vijë kismeti nga qielli???
Sot u ndalua qarkullimi në kryeqytet i çdo automjeti privat, si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit. Mirpo një nga këta kismet-llinjtë jo vetëm që bënte xhiro kot në lagje gjysmë-varur nga xhami i makinës, por dhe me volumin e kasetofonit në maksimum për të dëshmuar “trimerinë” e tij.
O lac! Bëhu burrë! Rri në shtëpi! Bëji një të mirë vetes dhe ne të tjerëve që duam një të nesërme më të mirë pa pritur kismetin tënd!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb