E ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” me Nisida Tufën, deputetja Rudina Hajdari argumentoi pse opozita në parlament kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura. Hajdari tha se ata kërkojnë të fusin në parlament një mënyrë tjetër për të përfaqësuar shqiptarët në Kuvend, një mënyrë për të votuar ata që shqiptarët dëshirojnë dhe jo ata njerëz që kryetarët vënë në pozicionet e sigurta.

“Ne kemi një problem shumë të madh sa i përket kryetarëve të partive. Kemi një mungesë të theksuar brenda partive politike që nuk kanë absolutisht hapësira demokratike ku anëtarët apo kushdo që do të dojë që të shprehë mendimin e lirë, nuk e ka këtë mundësi. Përkundrazi kushdo që do të dalë kundër kryetarit të partisë ata ndëshkohen. Ne jemi kundër kësaj fryme, është një frymë e vjetër politike dhe po mundohemi si grupim brenda Kuvendit të sjellim një frymë tjetër. Pra të dobësojmë rolin e kryetarëve të partive dhe të fusim një mënyrë tjetër për të përfaqësuar shqiptarët në Kuvend, një mënyrë për të votuar ata që shqiptarët dëshirojnë dhe jo ata njerëz që kryetarët vënë në listat e tyre dhe i vënë ndonjëherë edhe në pozicionime të sigurta. Unë kam qenë një ndër to.”

Është një pikë e rëndësishme dhe nuk mund të shmang unë faktin që jam zgjedhur me këtë sistem, por dua që të mendoj që edhe nëse ke një sistem tjetër unë do jem në gjendje të përballem me atë lloj sistemi sepse nëse vërtet do të bësh një lloj ndryshimi në zonën që përfaqëson, duhet të jesh e përzgjedhur drejtpërdrejt nga qytetarët. Nuk kam asnjë lloj kompleksi, kam mirënjohje që jam vlerësuar për t’u futur si e treta në listë, por kjo nuk do të thotë që kjo duhet të përcaktojë axhendën time politike. Nuk do të thotë që unë duhet të ngelem peng i këtij vendimi. Unë duhet të luftoj për atë që unë mendoj se është e drejtë. Fakti që sot opozita nuk ndodhet në parlament, është arsye e vetme që unë jam jashtë vendimit apo kundra vendimit të kryetarit të PD, nuk kam asgjë kundra tij personalisht. Isha një ndër deputetët që vendosa mos të ndjek vijën e partisë për një qëllim që mendova se ishte në dëm të vendit” tha Hajdari.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb