Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Flamur Noka i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj kreut të PD-së Sali Berisha gjatë protestës së djeshme nga 31-vjeçari Gerti Shehu.

Noka deklaroi se situata ishte tepër e rëndë dhe se vetëm një lider si Berisha me cilësitë e tij ishte i aftë ta menaxhonte situatën, ndërsa shtoi se nëse do të ishte ai në vendin e ish-kryeministrit “do ta kapte agresorin prej fyti dhe nuk do ta lëshonte”.

Ai ka zbuluar gjithashtu se sipas informacioneve të besueshme që PD ka, agresori, 31-vjeçari Gert Shehu, ishte një trafikant droge, i cili është ndaluar disa herë por nuk është dënuar kurrë, pasi është rekrutuar nga policia.

Sakaq, Noka deklaroi se skenari i organizatorëve të sulmit ishte që pas goditjes së Berishës turma e protestuesve të vriste agresorin dhe më pas të shpërthente dhuna në rrugë që më pas kryeministri Rama të mund tu drejtohej evropianëve për tu treguar që opozita tenton të destabilizojë vendin.

 

“Skenari ishte ky, goditet Berisha, nuk flet, turma vret atentatorin dhe pas vrasjes së tij do shpërthente rrugëve të Tiranës dhe Rama do t’i thoshte evropianëve ja kush është Sali Berisha dhe ja cila është opozita de stabilizuese dhe më pas do shpallte veten mbret. Berisha megjithëse iu bë atentat, me cilësitë e tij të rralla arriti ta menaxhojë në perfeksion këtë situatë. Unë do e kisha kapur prej fyti agresorin dhe nuk do e lëshoja. Ky skenar i Ramës dështoi.

Informacionet e besueshme thonë që zotëria është një trafikant droge i fshehur nën petkun e picave. Është kapur e rekrutuar e nuk ka bërë burg, kështu rekruton policia. Ky është i rekrutuar, elementi që është shitës picash gjithmonë i ndaluar e kurrë i dënua, raporti sapo u godit Berisha ishte gati në zyrën e Çuçit apo Fugës, deklarata më pas, dhe sot i kërkojnë Berishës, i thonë deputeti Berisha të paraqitet në polici e të raportojë ngjarjen sikur të ketë pasur konflikt. Na ka ruajtur zoti sepse për Ramën nuk do ishim sot këtu gjallë. Autori, një i sëmurë mendor me patentë, kishte marr patentën pak pasi ishte nënshkruar raporti”, tha Noka.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: