I ftuar në programin “Dola te Ola” ishte këngëtari i njohur Ylli Baka, i cili sikurse të gjithë të ftuarit rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e tij artistike dhe familjare.

Ylli Baka foli për marrëdhënien e ngushtë që ka me familjarët e tij, teksa theksoi se vjen nga një familje e mirë dhe nga dy prindër të cilët gëzojnë respektin e të gjithë atyre që i njohin. “Unë eci në gjurmët e prindërve të mi’, theksoi ai.

Një marrëdhënie shumë të ngushtë Ylli Baka ka edhe me vëllanë e tij më të madh, për të cilin tha se ka qenë mbështetja e tij e parë që e ka ndihmuar në çdo hap që ai ka hedhur.

Këngëtari është baba i një vajze dhe dy djemve binjakë, dhe një moment shumë i bukur ishte kur Ylli Baka nisi të flasë për familjen e bukur që ai ka krijuar. “Është gjeja më e rëndësishme dhe mbështetja më e madhe”. Ai zbuloi se të gjitha projektet muzikore që bën testohen njëherë në familje, shto faktin edhe që fëmijët e këngëtarit po ndjekin rrugën e artit.

Gjatë programit nuk munguan as surprizat për Ylli Bakën. Ai mori një videomesazh nga dy djemtë e tij dhe gjithashtu edhe nga një mik i ngushtë, i cili më herët ka qenë një fans i çmendur i këngëtarit.

Gjithë rrëfimi i Ylli Bakës u shoqërua me muzikë të mirë të kënduar nga vetë ai dhe nga vëllezërit korçarë, duke na dhuruar të gjithëve një mbrëmje të vërtetë artistike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb