Shfaqja “Unë jam Mefisto” ka prekur skenën e Teatrit Eksperimental duke bashkuar tekste nga Musine Kokalari, te Gëte, Klaus Man, Neziraj, Eluar, Simic e Piroli. Turpi ynë para pasqyrës dhe turpi i historisë me komunizmin e nazizmin, ngërthehen ne dy orë ku mendimi dhe veprimi shkojnë paralel dhe mbeten mbërthyes.

“Flitet për fenomenin “Mefisto” në dimensione pakohore, vajtje ardhje të brendshme të jashtme, në dimensione metafizike, flitet për këtë fenomen me të cilin jetojmë e pak e identifikojmë, e për këtë fenomen flasin në gjuhë artistike, disa breza”, tha Ema Andrea, aktore dhe producente.

Nën konceptin e regjisorit të njohur Dino Mustafiç, Berlini i paraluftës vjen afër dhe prej aty, shquan si nis të vijë në jetë pushteti absolut dhe si Mefisto, djall a njeri blen shpirtra.

“Dino Mustafiç është autoritet regjisorial ndërkombëtar dhe  rrënon të gjitha kodet normale tradicionale të teatrit dhe mbi rrënoja nderon një estetikë të tijën”, u shpreh regjisori Altin Basha.

“Kjo shfaqje na ka bërë të gjithë ne të mendohemi, jo vetëm si artistë por edhe si njerëz, se ku janë kompromiset tona”, tha koreografi Gjergj Prevazi.

“Është aq komplekse dhe aq e bukur dhe Dino që rrënoi dhe e ngriti estetikisht na ka dhënë një mundësi për të rrënuar ndjenjat tona dhe për të hedhur dritë në disa skuta”, tha aktorja Ilire Vinca.

Turpi i bashkëfajësisë, pranohet para një pasqyre ku secili duhet të gjejë forcën të pështyjë veten. Elementët skenikë dhe interpretativë vijnë lineare ndërsa ‘mea culpa’ nuk ka nevojë për zë të lartë. Pranimi është nisja e shërimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb