Dikur, në një kohë pa kohë, Zana, duke mrizuar ndër mrizet e saj, pa një djalosh të dëshpëruar nga tallja e shokëve për dobësinë e tij. Si një nënë që vuan kur ia tallin fëmijën, ajo e mëkoi atë me qumështin e saj të tejbotshëm, duke i dhënë atij fuqi po aq të tejbotshme. Dikur, po ndër ato kohëra, një nënë, Ajkuna do të vajtonte të birin e saj, Omerin, duke i vënë vulën njërit prej vajtimeve më të dhimbshëm të traditës.
Në atë kohë të pakohë, një grua do të murosej ndër themele kalashë e urash, duke u përkujdesur që me njërin gji jashtë, të vazhdonte të ushqente birin foshnjë me qumësht të përjetshëm.

Ajo kohë e pakohë ka vulosur pra, në kodin tonë kulturor, arketipet e sakrificës për të mirën e përbashkët dhe për atë të familjes, arketipet e dhimbsurisë e të dhimbjes, në figurën e gruas, që vështirë se janë tejkaluar deri më sot.
Dhe këtu hyra në tablo unë, ne, dhe të gjithë ata që i studiojmë këto kode kulturore, etnologët, apo si na pëlqen ta quajmë veten sipas traditës amerikane, antropologët kulturorë.

Antropologjia kulturore e traditës amerikane, antropologjia sociale e traditës britanike, si dhe etnologjia e traditës së Europës kontinentale janë variantet e studimit të të njëjtës fushë, shuarjes së kuriozitetit se çfarë jemi ne njerëzit, me çfarë syzesh e shohim botën, si e krijojmë ne atë e si formësohemi prej saj, si i shprehim këto marrëdhënie në mënyrë simbolike dhe si i trashëgojmë ato.

Në Shqipëri shkenca etnografike apo etnologjia do të institucionalizohej në vitin 1948, me krijimin e Institutit të Shkencave. Më pas, në vitin 1979, sektori i etnografisë do t’i bashkëngjitej Institutit të Folklorit, për të formuar Institutin e Kulturës Popullore. Por kërkimi shkencor në këto fusha do të kishte qenë gjysmak nëse nuk do të bazohej në traditën e pasur kërkimore të etërve françeskanë të periudhës mes dy luftrave botërore, që kulmoi në korpusin e jashtëzakonshëm të vëllimeve “Visarët e kombit”.

Shekulli XIX është shekulli i themelimit të pjesës më të madhe të disiplinave shkencore, e mes tyre edhe i antropologjisë. Ardhja e modernitetit, si një periudhë e historisë njerëzore e bazuar në dijen shkencore dhe iluminizëm, do të krijonte kushtet që raportet e shumta mbi popujt e kolonizuar të botës, të nisnin të analizoheshin në mënyrë metodologjike. Pasuria e madhe e zakoneve, traditave, traditave teknologjike, e formave të prodhimit e tregtisë, e besimeve e bestytnive, që strukturonin forma të organizimit shoqëror e politik nga më të ndryshmet e të ndërlikuarat, u kthye në objektin e studimit të kësaj disipline.

Në fillim të shekullit XX, përmes qasjes së re metodologjike të Bronislaw Malinovskit në Britani dhe Franc Boasit në SHBA, raportet e ardhura nga misionarë e udhëtarë kuriozë, nuk do të ishin të mjaftueshme për themelet e kësaj shkence. Antropologu duhej të jetonte vetë mes grupeve që merrnin nën studim, duke mësuar gjuhën dhe duke jetuar të paktën një vit mes tyre, për të vëzhguar dhe marrë pjesë, për të qenë sa më i brendshëm dhe për pasojë, sa më i saktë, në shpjegimin e fenomeneve të marra nën shqyrtim.

Paralelisht me këto zhvillime, në Europën kontinentale që pas Johan Gottfried Von Herderit, do merrnin jetë dy degë të së njëjtës fushë, Volkskunde – studimi i traditave të popullit të vetë studiuesit (apo folklori e etnologjia) dhe Völkerkunde, studimi i traditave të popujve të tjerë (apo antropologjia social-kulturore).

Të gjitha këto tradita studimore të së njëjtës fushë kishin pas një kontekst të caktuar politik.
Antropologjia sociale do të përqëndrohej, deri në vitet ’80 të shekullit të kaluar, në studimin e popujve të tjerë, mundësisht të organizuar në forma parashtetërore, pa shkrim e qytete, apo të quqjtur ndryshe popuj primitivë (sot nuk përdoret më ky term, pasi mbart ngarkesë paragjykuese me konotacione raciste). Kjo për shkak se Anglia qe kolonizatorja kryesore në rang botëror.

Antropologjia kulturore amerikane do të përqëndrohej jo vetëm te popujt “primitivë” jashtë saj, por edhe te “primitivët” brenda vetes, pra tek indigjenët, si dhe drejt Amerikës Latine, në unison me interesat e politikës së jashtme amerikane.
Ndërsa etnologjia e folklori kontinental i shërbenin kombformimit vendas.

Siç e shohim, të gjitha këto disiplina kanë pasur një marrëdhënie shpesh vartësie me politikën dhe ideologjinë, e për pasojë, mund të flasim edhe për “mëkate” të tyre. Sidomos në Evropën Lindore gjatë periudhës së socializmit, kemi një varësi ideologjike e politike të dyfishtë. Etnologjia duhej të kontribuonte në vërtetimin e unicitetit të traditave vendase dhe në farkëtimin e krenarisë kombëtare, e njëkohësisht në ndërtimin e socializmit, duke identifikuar traditat “prapanike”, për t’i luftuar ato.
Kërkund nuk u zbatua më shumë ky komandim politik i shkencës më shumë se në Shqipëri. Etnologët lanë shumë pa thënë e pa analizuar, edhe pse nuk përputhej kjo me direktivat strikte e limituese të Partisë së Punës, edhe për shkak të frikës nga ndonjë persekutim i mundshëm. Në vitin 1991, etnologjia shqiptare u gdhi thuajse tërësisht e izoluar nga zhvillimet e fushave simotra në botë, dhe pa kontakte me literaturën teorike të shekullit XX.

Sot, edhe pse shumë tradita të botës paramoderne janë zhdukur, kodet që ato kanë formësuar, arketipet dhe modelet e sjelljes, ekzistojnë diku nëpër nënvetëdije individuale e kolektive dhe përbëjnë thelbin e lëngshëm të identiteteve dhe multikulturalizmit. Tregu i punës është tepër i kufizuar, jo vetëm në Shqipëri, pasi antropologjia është nazike, dhe kryesisht akademike. Ende nuk ka një vetëdijësim të sipërmarrjeve publike apo private mbi rëndësinë e prezencës së antropologut apo etnologut në çdo fushë. Në Shqipëri madje, mungon formimi universitar në këtë fushë dhe numri i etnologëve / antropologëve mbetet i kufizuar (historikisht ka qenë kështu). Por ndoshta kjo është edhe arsyeja pse e kemi kaq të vështirë t’i përgjigjemi pyetjeve se pse ndjejmë një lloj krize shoqërore e identitare të përherëshme dhe pse e jetojmë këtë vend si të jemi të përkohshëm këtu edhe nëse nuk do të largohemi kurrë.

Duke qenë shkenca më intime dhe ndaj grupeve kulturore e shoqërore të caktuara, antropologjia social-kulturore dhe etnologjia, nuk qenë kurrë plotësisht të lira, e megjithatë, shkrimet e saj kanë dokumentuar diapazonin e gjerë të së keqes, por edhe të mirësisë e mrekullisë njerëzore./sapiens.al

Nga Dr. Armanda Hysa, Etnologe/ antropologe*

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb