UNESCO ka vendosur sot të përfshijë në axhendë kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kjo gjë është bërë e ditur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e konsideron këtë një lajm fantastik.

Janë 44 shtete që kanë firmosur për diskutimin e kërkesës së Kosovës duke i dhënë një goditje të fortë lobimit negativ të Serbisë për pengimin e Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO.

Ministri i Jashtëm ka vlerësuar shumë edhe rolin e ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, vajza e Ismail Kadaresë.

“Sa më erdhi një lajm fantastik, një sukses i diplomacisë që e kemi pritur gjatë. Dëshmi që kur punojmë bashkë, ja arrijmë çdo qëllimi, me dinjitet. Numër rekord shtetesh kanë përkrahur futjen në axhendë të Këshillit Ekzekutiv, kërkesën e Republikës sonë për anëtarësim në UNESCO. Nga sot, jemi në axhendë zyrtare. Shume sfida na presin, por rrugëtimin tonë diplomacia Serbia nuk e ndali dot me makinacione procedurale dhe propagandë negative – edhe pse tentuan. Falënderoj shumë 44 shtete qe kanë bashkënwnshkruar kërkesën për anëtarësi, falënderoj Ambasadoren Kadare dhe ekipin tonë për punë të palodhshme, këto javët e fundit. UNESCO për neve paraqet një platformë për zhvillimin e arsimit, shkencës, kulturës, ambientit, shprehjes së lirë, mbrojtjes së trashëgimisë – për fëmijët tanë!”, shkruan Thaçi.

Ndërkohë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga gjatë një vizite sot në qytetin e Beratit theksoi se përfshirja e Kosovës në UNESCO do të jetë privilegj por edhe përgjegjësi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: