Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara (UNHCR) ka kritikuar Maqedoninë për mbylljen e kufirit me Greqinë, me qëllim ndalimin e fluksit të migrantëve.

“Këta janë refugjatë në kërkim të mbrojtjes dhe nuk duhet të ndalohen”, ka thënë zëdhënësja e UNHCR-së, Melissa Fleming, raporton Radio Evropa e Lirë.

Mijëra njerëz nga Lindja e Mesme, Azia dhe Afrika kanë mbetur të bllokuar qysh të enjten në zonën kufitare midis Maqedonisë dhe Greqisë.

Policia e Maqedonisë ka përdorur sot gaz lotsjellës kundër turmës që ka bërë përpjekje të hyjë në territorin e saj.

Organizata Ndërkombëtare e Migrimit ka thënë se është “thellësisht e shqetësuar” me fatin e atyre që janë të bllokuar në “tokën e askujt” dhe ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje dhe ndihmë urgjente humanitare.

Ndërkohë edhe KiE dhe KE kanë reaguar për bllokimin e emigrantëve në kufirin maqedonas, duke theksuar se Maqedonia nuk ka të drejtë t’i ndalojë por vetëm t’i kontrollojë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: