Fondi për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF) ka bërë të ditur se Afrika Perëndimore dhe Afrika Qendrore kanë numrin më të madh të fëmijëve të rekrutuar dhe të përdorur nga forcat e armatosura dhe grupet e armatosura, shifër që përfshin mbi 42 mijë fëmijë midis viteve 2005 dhe 2020.

Shefja rajonale e UNICEF-it për mbrojtjen e fëmijëve në Afrikën Perëndimore dhe Afrikën Qendrore, Karin Heissler, tha se gjatë të njëjtës periudhë rajoni po ashtu renditet i pari dhe më i keqi kur bëhet fjalë për numrin e përdhunimeve dhe formave të tjera të dhunës seksuale të kryera ndaj fëmijëve, përkatësisht me mbi 8 mijë shkelje.

Duke folur në një konferencë të OKB-së në Gjenevë mbi shkeljet ndaj fëmijëve në konfliktet e armatosura, Heissler tha se dy rajonet afrikane me rreth 4.800 raste renditen të dytat në mbarë botën për nga numri i rrëmbimeve dhe tha se incidentet janë në rritje.

“Këto janë renditjet ku nuk do të donim të ishim pjesë. Dhe, këto janë vetëm rastet që OKB-ja ka arritur t’i verifikojë. Numri aktual i shkeljeve të rënda është shumë më i lartë pasi shumë raste janë të pa raportuara”, u shpreh zyrtarja e OKB-së.

Ndër shkeljet e rënda të përmendura nga Heissler janë rekrutimi, vrasja dhe gjymtimi, përdhunimi dhe dhuna të tjera seksuale, rrëmbimet, sulmet në shkolla dhe spitale, si dhe mohimi në qasje humanitare.

– 50 për qind rritje në shkelje të rënda

Heissler theksoi se ndërmjet viteve 2016 dhe 2020 shkeljet e rënda u rritën për 50 për qind.

“Pati një përshpejtim mjerisht tregues midis viteve 2019 dhe 2020 në numrin e shkeljeve të rënda ndaj fëmijëve, duke u rritur për 35 për qind brenda një viti”, tha ajo.

Në vitin 2021, sipas zyrtares së OKB-së, 10 për qind e fëmijëve që jetojnë në konflikt të përfshirë në raportin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Heissler tha se Kameruni, Republika e Afrikës Qendrore dhe Republika Demokratike e Kongos, përfshirë krizat në rajonet Sahel dhe Çad kanë pasoja shkatërruese për fëmijët.

“Për ata fëmijë të rekrutuar dhe të përdorur, ne apelojmë për transferimin e shpejtë të fëmijëve nga forcat e armatosura te autoritetet civile dhe aktorët e mbrojtjes së fëmijëve për të marrë ndihmën e duhur, si fëmijë dhe si viktima”, tha ajo.

Midis viteve 2005 dhe 2020, sipas të dhënave të OKB-së, Republika Demokratike e Kongos vazhdimisht është renditur e para në mbarë botën në rekrutimin e fëmijëve për konflikt, Nigeria është renditur e dyta dhe Republika e Afrikës Qendrore e teta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb