Një vit pas bllokimit të parë në Gjermani, efekti i madh që ka patur pandemia e COVID-19 te fëmijët dhe të rinjtë po bëhet i dukshëm, sipas organizatës së Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF.

“Kufizimet e shumta në jetën publike dhe private jo vetëm që rrezikojnë arritjet arsimore të të rinjve, por gjithashtu kanë pasoja të mëdha për mirëqenien dhe zhvillimin e tyre të përgjithshëm”, shkruhet në një raport të UNICEF.

“Gjermania është renditur në nivelin mesatar për sa i përket mirëqenies së fëmijëve edhe para pandemisë”, vuri në dukje kryetari i bordit të UNICEF për Gjermaninë, Georg Graf Waldersee.

Sipas tij, mangësitë ekzistuese përpara pandemisë tani po ekspozohen “pa mëshirë”, për shembull, mungesa në pajisjet dixhitale për shkollat.

Sipas UNICEF shumë nga gjërat që i bëjnë fëmijët dhe të rinjtë të ndihen mirë, si edhe ato që u nevojiten për zhvillimin e tyre, mbi të gjitha ndërveprimi me bashkëmoshatarët e tyre, kanë munguar.

Raporti paralajmëron, gjithashtu, se pandemia ka përkeqësuar edhe problemet me të cilat përballen fëmijët, prindërit e të cilëve janë migrantë, si edhe ata me një prind të vetëm.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb