Ish-kryeministri Sali Berisha ka treguar prapaskenat e arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët Berisha tha se Alla u arrestua 5 orë pasi deklaroi se do rikandidonte për bashkinë e Bulqizës. Ai tha se Alla ishte unik në botë për sistemin e tij për të vjedhur, ndërsa dosjet sipas tij flinin në SPAK.

“Rama është fund e krye i zhytur. Uashington Post thoshte se Rama është i përfshirë në skandale dhe afera për të cilat ai duhet të përgjigjet para drejtësisë amerikane dhe asaj shqiptare. Fushata po ecën me një ritëm dhe me një entuziazëm të veçantë. Kandidatët e shpellës apo të dajakut janë sot kandidatët më të përçmuar në 32 vite. Siç e shihni nuk dalin dot me qytetarët. Siç e shihni, janë të pranishëm vetëm në montime dhe manipulime të turpshme televizive. Ndiqeni fushatën e Veliajt, nuk shihni qytetarë aty por vetëm figurantë dhe truke televizive. Të tjerë nuk duken fare. Ata që kundërshtojnë arrestohen brenda orëve. Narkotrafikanti i Bulqizës kishte dosje palë-palë prej 4 vitesh, i denoncuar për vjedhje. Ishte unik në botë sistemi i tij për të vjedhur. Vjedhje të tëra me radhë dhe gjembi nuk i futej në këmbë. Në momentin kur deklaroi se do të rikandidonte dhe s’do pyeste partinë, iu vunë hekurat pas 5 orësh. Iu servir kjo si akt i drejtësisë së pavarur. Por është akt i drejtësisë politike që për 4 vite mbajti në sirtar dosjen e tij dhe s’bëri veprim. Ka një analogji të madhe midis arrestimit të tij dhe kontrollit të befasishëm që iu bë pas 1 mandati te partnerja dhe ish-bashkëshortja e Ahmetajt. Organet ligjzbatuese, pa asnjë diskutim duhet të kenë të drejtë të kontrollojnë në çdo rast kur lindin dyshime, por kurrë në kundërshtim me procedurën ligjore. Jam njeri i që kam denoncuar veprat e Arbën Ahmetajt dhe kam bindjen se ka kryer një sërë veprash. Por ndaj tij dhe askujt tjetër s’mund të bëhen procedura antiligjore. Ahemtaj e kërcënoi Ramën. Ai kërcënoi Don Agaçin, Erion Veliajn dhe tani nuk merrem me thelbet, por bëjnë kontrolle pa autorizime, të paligjshme. Por janë bërë qëllimisht të tilla, për të dalë se gjetën vibratorë. Më faqezi se këta s’ka. Edi Rama këtë donte të dilte.”, tha Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb