NGA ERMELINDA HOXHAJ*

TIRANË- Shpallen 3152 fituesit e raundit të dytë në universitetet publike. Kandidatët fitues kanë 4 ditë afat për regjistrimin në sekretaritë mësimore në programet ku janë shpallur fitues, pasi dita e fundit e regjistrimit është data 9 tetor 2015. Bashkangjitur shkrimit do të gjeni ID personale të fituesve si dhe dokumentet që duhen për të bërë regjistrimin pranë sekretarive mësimore. Para se të drejtohen në universitet për regjistrimin, kandidatët duhet të paguajnë tarifën e regjistrimit prej 1.600 lekësh pranë zyrave të Postës Shqiptare.

Regjistrimi
Sipas njoftimit të Ministrisë së Arsimit, kandidatët e shpallur fitues në këtë fazë të dytë, pra 3152 kandidatë, do të kenë në dispozicion vetëm katër ditë për të bërë regjistrimin me dokumente në sekretaritë mësimore. Regjistrimi sipas udhëzimit të MAS ka nisur që ditën e djeshme më 5 tetor nga ora 09.00 deri 18.00 dhe deri më datë 9 tetor kandidatët e shpallur fitues në këtë raund të dytë duhet të regjistrohen në sekretaritë mësimore të fakulteteve ku janë shpallur fitues. Të gjithë fituesit e kësaj faze duhet të dorëzojnë personalisht dokumentacionin plotësues në sekretaritë mësimore, ku të përfshihet: dokumenti i identifikimit (kartë identiteti ose pasaportë).

Në dosje mbahet vetëm fotokopja e një prej dokumenteve të identifikimit, e panoterizuar; 2 fotografi personale; mandatarkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.600 lekësh, paguar pranë zyrave të Postës Shqiptare për llogari të universitetit përkatës si dhe një deklaratë (shtojca nr.1) e cila plotësohet dhe firmoset nga kandidati në prani të punonjëses së sekretarisë mësimore dhe kundërfirmoset nga kjo e fundit. Vetëm pasi të bëjnë regjistrimin në sekretaritë mësimore, ata do të konsiderohen të regjistruar përfundimisht në degën që kanë fituar. Nëse nuk regjistrohen brenda këtyre afateve, ata humbasin të drejtën e studimit.

Kuotat e mbetura bosh në këtë fazë nuk shpërndahen më nga MAS. Kandidatët që ishin regjistruar më parë në një program studimi, por kanë rezultuar fitues në një preferencë më të lartë, sistemi i çregjistron nga programi ku janë regjistruar dhe duhet që të regjistrohen sërish në sekretaritë mësimore me dokumentet përkatëse në preferencën më të lartë. Tarifën e regjistrimit në këtë rast nuk e paguajnë, pasi e kanë paguar në regjistrimin e mëparshëm. Ndërsa ata kandidatë që zgjedhin të vijojnë garën, por nuk fitojnë preferencë tjetër vijojnë të jenë të regjistruar të degën e mëparshme. (Emrat e fituesve i gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare)

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb