Plot nje çerek shekulli përpjekjesh të pafundme për arsimimin dhe universitetin shqip në Tetovë, universiteti i këtij qyteti, tashmë mban emrin e ideatorit dhe themeluesit të tij, Fadil Sulejmani.

Me një sërë ceremonish të organizuara me rastin e 25-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, ku institucion, më i rëndësishmi i arsimit shqip në Maqedoninë e Veriut, mori emrin e rektorit të parë dhe atij që nuk u ndal para asnjë sfide, burgosjeje apo presioni nga regjimi maqedonas, Fadil Sulejmani. Me këtë rast, për nder të tij, më 16 dhjetor 2019, në ambientet e Universitetit të Tetovës, tashmë me emrin “Fadil Sulejmani”, u përurua shtatorja e profesorit, si dhe “Flakadani i Kujtesës”, vepra arti këtom të financuara nga atdhetari dhe filantropi i njohur ndërkombëtarisht, Lazim Destani.

Z.Destani, në fjalën e tij gjatë aktivitetit të përurimit të shtatores së Prof.Fadil Sulejmani tha se, “përgjatë këtij çerekshekulli Universiteti i Tetovës është gjendur përballë sfidave shumë të vështira, por ka qenë më i fuqishëm ideali, vullneti dhe vendosmëria e gjithë atyre që e mbështetën këtë vatër të dijes”. “Ishte rinia studentore, profesorët dhe popullata e kësaj ane që i dhanë mbështetjen e fuqishme iniciatorëve të këtij projekti, intelektualëve të guximshëm me në krye profesorin Fadil Sulejmani – Rektori i parë dhe historik i Universitetit të Tetovës. Rezultatet dhe sukseset që gjatë këtyre 25 viteve i ka arritur ky universitet janë evidente, janë të dukshme, por zhvillimi dhe rritja e universiteteve nuk kanë mbarim. Andaj, le të vazhdojmë ta mbështetim e ta rritim këtë tempull të dijes duke e mbajtur përkrah universiteteve më të mira të rajonit e më gjerë”, theksoi Destani.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në prani të zyrtarëve të lartë të universitetit, politikanëve, kreut të Kuvendit, Talat Xhaferi, stafit akademik dhe studentëve, rektori Vullnet Ahmeti tha se, 25 vjet pas themelimit, Universiteti i Tetovës është shndërruar në një institucion që prodhon kuadro intelektuale dhe të përgatitura për tregun e punës, shënon rezultate të larta në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ndërsa mbështet një numër të madh të studentëve të shkëlqyeshëm përmes bursave të plota. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e vuri theksin mbi sakrificat e kaluara për krijimin dhe mbajtjen gjallë të këtij universiteti. “Universiteti i Tetovës është ngritur me sakrificën e shumë shqiptarëve, profesorëve dhe studentëve të vendosur. Ky tempull i diturisë, dëshmon dashurinë e madhe të një populli për dije dhe arsimim”, tha Xhaferri

Ndërsa në oborrin e Universitetit, u shpalos edhe shtatorja e themeluesit dhe rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, ndërsa delegacione të universitetit dhe figura publike bënë homazhe tek varri i tij dhe tek varri i dëshmorit të UT-së, Abdylselam Emini.

Për nder të “trurit” për themelimin e këtij universiteti shqip në Tetovë, komisioni i universitetit ka bërë edhe një kërkesë zyrtare për ndryshimin e emrit të këtij tempulli të dijes në “Universiteti i Tetovës, Fadil Sulejmani”.

Shtatorja e Fadil Sulejmanit dhe lapidari i “Flakadani i Kujtesës” u punuan me mjeshtri nga artistë shqiptarë, skulptorët nga Tirana, Sadik Spahija dhe Ergys Krisiko. Ndërkohë që, financimi i tyre, si dhuratë për Universitetin e Tetovës dhe figurën e Prof.Fadil Sulejmanit, u bë nga filantropi dhe biznesmeni Lazim Destani, njëkohësisht Kryetar i Bordit Mbikqyrës i Ecolog International, që drejtohet nga familja e tij.

Nga ceremonia e ditës së hënë në Tetovë, u mësua edhe arsyeja e kësaj lidhje të ngushtë miqësore e cila nuk është përmendur asnjëherë më herët nga vetë filantropi Destani, mes tij dhe Fadil Sulejmanit. Bashkëshortja e ish-rektorit, Znj.Haxhere Sulejmani, para publikut falenderoi në mënyrë të veçantë biznesmenit tetovar Lazim Destani, që sipas saj, kishte përkrahur idealin e bashkëshortit të saj që në fillimet e para, e deri në kohën kur për tre muaj radhazi i kishte ndihmuar gjatë mjekimit në spitalet elitare gjermane, në kohën kur ai vuante nga një sëmundje e pashërueshme.

Falë Z.Destani, kujtimi i veteranit të arsimit shqip, Fadil Sulejmani do të mbetet i gjallë përmes shtatores përkujtimore në hyrje të tempullit, për të cilin ai dha gjithçka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb