Nga: ERMELINDA HOXHAJ
TIRANE – Universiteti i Tiranës ka rrëzuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në lidhje me procedurat e regjistrimit për ciklin e dytë të studimeve. Sipas vendimit të marrë nga Senati i UT-së, regjistrimi i studentëve për studimet master nuk do të bazohet në afatet e përcaktuara në udhëzimin e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, ku afatet e regjistrimit janë 7-12 tetor, por regjistrimi i kandidatëve do vijojë deri më datë 20 tetor 2016. Po ashtu, Universiteti i Tiranës ka përcaktuar që fillimi i vitit akademik për studentët e ciklit të dytë të bëhet në datën 24 tetor, ndërsa për ciklin e parë të studimeve bachelor do të ndiqet udhëzimi i MAS-it, ku përcaktohet se dita e fillimit të vitit të ri akademik është data 20 tetor 2016. Afatet e aplikimit të studentëve janë publikuar nga rektorati i UT-së, por edhe nga 6 fakultetet e këtij universiteti. Ndërkohë që për “GSH”, dekani i Ekonomikut, Dhori Kule ka deklaruar se: “Universiteti i Tiranës po zbaton ligjin e ri të arsimit të lartë. Dhe, në nenin 9 të këtij ligji, përcaktohet se ministria nxjerr udhëzime vetëm për ciklin e parë të studimeve, pasi aplikimin kandidatët e bëjnë në QSHA, apo AKP, si e ka emërtimin aktualisht. Universiteti i Tiranës ka miratuar se aplikimi në master do vijojë deri në datën 20 tetor; te Ekonomiku ne e kemi nisur edhe më herët aplikimin, ndaj do jetë deri në datën 19 tetor”.

Afatet
Universiteti i Tiranës ka marrë vendim që aplikimet për master të mos mbyllen në datën 12 tetor, si ka përcaktuar ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, në udhëzimin e miratuar në datën 7 tetor 2016, por do vijojnë deri më datë 20 tetor, duke u dhënë mundësinë të gjithë studentëve që të regjistrohen. Në lidhje me anashkalimin e Udhëzimit të MAS-it, ish-rektori i UT-së dhe dekan aktual i Ekonomikut, Dhori Kule ka thënë për “GSH”, se universitetet po zbatojnë ligjin, dhe kjo është një e drejtë që ua njeh ligji i ri i arsimit të lartë. Po ashtu, edhe në faqen zyrtare të rektoratit si dhe në faqet e fakulteteve përkatëse njoftohen të gjithë studentët për procedurat e aplikimit në master. “Universiteti i Tiranës njofton të gjithë të interesuarit se periudha e aplikimit për regjistrimet në ciklin e dytë të studimeve master fillon nga data 10 tetor deri më datë 20 tetor 2016. Pranimet në programet e studimit të ciklit të dytë me kohë të plotë master profesional dhe master i shkencave për vitin akademik 2016-2017 do të realizohen sipas kuotave respektive të deklaruara nga Universiteti i Tiranës. Ky proces do të kryhet në bazë të përzgjedhjes së bërë nga njësitë bazë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi si dhe me vendimin nr. 22, datë 26.09.2016, të Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës. Në këtë vendim, senati i Universitetit të Tiranës ka shpallur kriteret e përgjithshme të pranimit në programet e studimeve të ciklit të dytë për vitin akademik 2016-2017. Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është i përcaktuar në Udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit Nr.24, datë 07.10.2016”, njoftohet nga rektorati i UT-së. Në përzgjedhjen e kandidatëve fitues përparësi kanë studentët të cilët kanë përfunduar studimet e ciklit të parë në Universitetin e Tiranës. Ndërkohë që, për kandidatët që aplikojnë në programet e studimit të ciklit të dytë master i shkencave, përveç kritereve të përcaktuara më sipër, kandidatët duhet të kenë njohje të një prej pesë gjuhëve të huaja të Bashkimit Europian: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, në nivelin B1, sipas Vendimit të Senatit Akademik të UT nr.18, datë 13.07.2016. Përzgjedhja e kandidatëve fitues do të bëhet sipas rendit zbritës të notës mesatare të ponderuar.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb