Në ditën e informimit për vaksinat anticovid në Universitetin Luarasi, rektori i këtij universitetit Et’hem Ruka i ka bërë apel studentëve të vaksinohen pasi vaksinimi është një sfidë që shpëton jetën.

“Kjo vaksinë i ka hapur rrugën vaksinave të tjera kundër sidës ndoshta nesër kundër llojeve të ndryshme të kancerit ndaj them që është një nga inovacionet më të mëdha që do kursej jetë njerëzish. Nëse mbrohet jeta e miliarda qytetarëve në botë prapë vaksina është e suksesshme mbron jetën tonë”, tha rektori Ruka.

Sipas shifrave zyrtare nga data 1-10 dhjetor janë vaksinuar 1400 studentë, shifër kjo që sipas mjekëve infeksionit Gjergji Koja dhe Arjan Harxhi duhet të rritet pasi vaksinimi është shumë i rëndësishëm.

“Në raport me sfidën e vaksinimit të studentëve 1 deri në 10 dhjetor janë realizuar 1400 doza në universitet tona. Ritëm që ka filluar të shtohet por është një ritëm që nuk është aq shumë i pranueshëm për ne që nisim aq shumë me vrull vaksinimin masiv në mars, prill, maj dhe sot ndeshemi me një lloj rezistence qoftë nga frika qoftë nga teoritë konspirative por që po vazhdojmë të ecim”, tha Koja.

“Ne mendojmë që derisa u kthyem në auditor u hapën lokalet dalim në rrugë dhe shohim që jeta është normale. Nuk është akoma normale. I dëgjoni masat që merren në botë. Nuk është normale në spitalin tim ku çdo ditë nxjerrim kufoma, gjë që në eksperiencën time 30-vjeçare nuk e kam përjetuar ndonjëherë që në spitalin infektiv të dalin çdo ditë”, tha mjeku infeksionist Arjan Harxhi.

Epidemiologu Ilir Alimehmeti thotë se informimi rreth vaksinës dhe situatës nga pandemia është mjaft i rëndësishëm për qytetarët.
“Shqipëria ka një bombardim me informacion shpeshherë jo i saktë dhe është pandemia e parë e llojit të vetë në epokën e ‘facebook’-ut. Të gjitha pandemitë e tjera kalonin jashtë vëmendjes së gjerë patjetër është dhe më e rëndë ajo që kemi kaluar gjë të jetës tonë por nuk na ka ndihmuar fare ky fluks i pakontrolluar informacioni”, tha Alimehmeti. Në të gjithë vendin janë 985 mijë qytetarë që janë vaksinuar plotësisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb