TIRANE

Diskriminimi i ushtruar në forma nga më të ndryshmet, është ende një problem i mprehtë në shoqërinë tonë. Një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen nga ky fenomen është arsimimi dhe edukimi cilësor i brezave të rinj. Lidhur me këtë kauzë të rëndësishme, Universiteti “Luarasi” ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me Institucionin e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Thelbi i marrëveshjes synon prekjen nga afër të realitetit, evidentimin e faktorëve diskriminues si dhe realizimin e praktikave pranë KMD-së nga studentët e Luarasit. Rektori i Universitetit, Prof. Dr.  Et’hem Ruka tha se raportet e paraqitura në parlament mbi këtë kauzë duhet të prezantohen edhe para studentëve.

“Ka një sërë problemesh, duke nisur nga barazia gjinore, besimet fetare, problemet e punësimit, dallimet midis komuniteteve të ndryshme. Ky është një problem i kulturës dhe edukimit të brezave të rinj të cilët duhet të edukohen me një frymë tjetër kundër diskriminimit. Një raport që do të paraqisni në parlament, do të ishte shumë interesant për ta transmetuar edhe te rinia. Në kuadrin e bashkëpunimit, studentët e Drejtësisë mund të vijnë dhe të shikojnë problemet pranë institucionit tuaj, zbatimin e ligjit”,-tha prof. dr. Et’hem Ruka gjatë takimit.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda e vlerësoi si një bashkëpunim efektiv nënshkrimin e marrëveshjes. Ai tha se universiteti mund të kthehet në një qendër debati e konferencash shkencore për diskutimin e çështjeve kundër diskriminimit.

“Në çfarëdolloj aspekti që ta shikojmë bashkëpunimin mes institucionit tonë dhe universitetit “Luarasi”, është në të gjitha aspektet pozitiv dhe produktiv. Patjetër që praktika e studentëve në institucion është diçka shumë e mirë, po dilet nga ai koncepti abstrakt i barazisë dhe diskriminimit dhe po vihen në jetë termat konkretë. Në universitet mund të prezantohen raportet që mund të kapen nga këndvështrime të ndryshme. Edhe konferencat shkencore janë në fokusin tonë gjithashtu”,-u shpreh Gajda.

Gjatë takimit, stafi akademik i “Luarasit” solli edhe disa sugjerime për realizimin konkret të marrëveshjes.

“Do ishte shumë mirë që studentët tanë të kishin akses në dokumentat që ju keni dhe të gjitha ato që prodhoni si raporte vjetore. Do ishte mirë të bëheshin edhe shkëmbime të librave ose të materialeve të tjera që mund t’i shtohen bibliotekës sonë”,-tha në fjalën e saj dekania e Fakultetit të Drejtësisë, Rezana Konomi.

Ndërkohë përgjegjësja e Departamentit të Menaxhim-Biznesit në “Luarasi”, dr. Shkencave Aelita Mani i bëri ftesë KMD-së për leksione të hapura në këtë universitet.

“Mund ta ktheni “Luarasin” në tribunën tuaj për të prezantuar nisma, ide, raporte, risitë më të fundit dhe praktikat kundër diskriminimit”,-tha Mani.

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi është autoriteti përgjegjës, që siguron mbrojtjen efektive nga diskriminimi. Institucioni e mbështet veprimtarinë e tij në zbatimin e të gjithë mekanizmave ligjorë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb