Universiteti “Luarasi” pranë gjimnazeve, ofron falas platformat online. Prof. Et’hem Ruka: Japim dije në kohë të vështira.

Luarasi iu përcjell eksperiencën dhe iu jep ndihmë shkollave të mesme në zhvillimin e platformave online për mësimdhënien si Moodle LMS dhe Microsoft Teams të cilat për këtë universitet kanë rezultuar tepër të suksesshme gjate muajve të pandemisë.

Gjithashtu universiteti “Luarasi” do mbështesë shkollat duke trajnuar mësuesit dhe drejtuesit në Google Clasroom ku bëhet shpërndarja e materialeve mësimore, menaxhimi i detyrave të shtëpisë apo edhe provimet.

Çdo eksperiencë e studentëve dhe pedagogëve të Luarasit shkon në ndihmë të gjimnazeve, kjo u reflektua edhe në seminarin “sfidat e lidershipit shkollor mësimdhënia në distancë” ku morën pjesë dhjetëra mësues dhe drejtues nga shkollat e mesme si dhe ekspertë të zhvillimit të karrierës.

Sipas rektorit të Luarasit, profesor Et’hem Ruka ky transferim dijesh dhe shkëmbimi i vyer i përvojës përmes platformës funksionale do u shërbejë më së miri nxënësve.
“Platforma që kemi përdorur ne e përpunuar nga grupi i profesorëve të Fakultetit të Teknologjive të Informacionit e Inovacionit, na krijoi mundësinë t’i zhvillojmë leksionet jashtëzakonisht mirë, seminaret, deri tek provimet on line. Ne e konsiderojmë një përvojë të suksesshme. Do të donim, nëse ajo është e vlefshme edhe për ju ta vendosnim në dispozicionin tuaj”,- tha Prof. Et’hem Ruka.

Zëvendës rektorja e Luarasit, profesore Anni Dasho shprehet se universiteti do të ofrojë gjithçka pa kosto për shkollat e mesme.

“Përvoja jonë do na bëjë që t’ju gjendemi pranë. Grupi i IT sonë do ta përshtatin platformën për ato gjimnaze që do të na kërkojnë ndihmë për vijueshmërinë e vitit akademik on line. Nuk ka asnjë kosto për gjimnazet, nuk kishte as për ne. Platforma është e përshtatur e thjeshtë si për pedagogët ashtu edhe për nxënësit”,- tha Anni Dasho.

Edhe dekanët e tre fakulteteve të Luarasit thanë se bashkëpunimi do t’i japë frytet dhe do të lehtësojë procesin mësimor online.

Për vitin akademik 2019-2020 ishte planifikuar që projekti i E-Gymnasium Innovation Week të vijonte, por situata e pandemisë dhe mbyllja e institucioneve të arsimit bëri që ai të shtyhet për vitin akademik 2020-2021.

Universiteti “Luarasi” synon ta zhvillojë projektin duke zgjeruar pjesëmarrjen në shkolla të mesme jo vetëm në Tiranë por edhe në Durrës dhe Elbasan. Të gjithë gjimnazistët do të kenë mundësinë të pasurojnë njohuritë e tyre në fusha si drejtësia, ekonomia apo teknologjitë e informacionit.

Në përfundim të trajnimit do të zhvillohet një konkurs me projektet më të mira ku gjimnazistët fitues do të përfitojnë bursa në “Luarasi”.

Projekti është një mundësi shumë e mirë për të forcuar marrëdhëniet ndërmjet universitetit dhe institucioneve të arsimit të mesëm në Shqipëri në përballimin e sfidave që i asociohen arsimit me gjithë dinamikat që e karakterizojnë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb