TIRANË

Rektori i Universitetit Luarasi, Et’hem Ruka, foli sot në rubrikën “Opinion”“News 24”, për risitë që do të sjellë ky universitet këtë vit të ri akademik, ku zbuloi edhe disa marrëveshje me universitetet më të mira ndërkombëtare.

Kështu, Rektori Ruka deklaroi se përveç degëve të Juridikut, Ekonomisë, Mjekësisë dhe Informatikës, këtë vit në Universiteti Luarasi do të ketë edhe një kurs tre mujor, për mbrojtjen kibernetike.

Ruka sqaroi se qëllimi i këtij kursi është mbrojtja e sistemeve informatike, bankave, të gjitha institucione, ndërsa shtoi se kursi do të finalizohet me një diplomë që ka njohje ndërkombëtare.

“Qëllimi i këtij kursi është mbrojtja e sistemeve informatike, bankave, të gjitha institucione që kanë një bazë të dhënash, sepse ne e dimë që sot dëgjojmë shumë goditje që jepen nga hakerat në botë, në shtete shumë më të zhvilluara se ne. Kompania izraelite është një kompania lider dhe që ka studiuar të gjitha sulmet kibernetike që janë bërë në botë dhe këto përvoja kërkon t’i tregojë te kursantët, në një kurs që zgjat rreth 3 muaj dhe që në fund finalizohet me një diplomë që ka njohje ndërkombëtare”, tha ndër të tjera Rektori i Universitetit Luarasi.

Cilat janë risitë e reja që ofron Luarasi këtë vit?
Jemi në një periudhë përgatitore për vitin e ri akademik 2021-2022. Universiteti Luarasi është në evolucion e sipër për mirë. Është një universitet në rritje, një universitet që në qendër të punës së vet ka cilësinë. Jemi shumë të kënaqur që për vitin e ri akademik interesi për Luarasin është shumë i lartë. Shifrat e të interesuarve të maturantëve shqiptarë tashmë janë bërë të njohura nga Ministria e Arsimit dhe Universiteti Luarasi ndihet në majën e universiteteve në raport me maturantët, të cilët e kanë zgjedhur atë. Është një universitet që vjen me oferta të reja dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në radhë të parë është Fakulteti i ri, Fakulteti i Shkencave Mjekësore, i cili tashmë është bërë fakt i kryer, i miratuar si institucion, i miratuar si programe studimi dhe praktikisht në këtë universitet do të kemi Fakultetin e Stomatologjisë, atë të Farmacisë dhe të Infermierisë. Ne kemi marrë të gjitha masat, jemi duke punuar intensivisht për të pritur studentët në muajin tetor, kur do të fillojë shkolla.

Ka pasur interesim?
Ka pasur padyshim interesim dhe ne presim që të interesuarit që kanë zgjedhur Universitetin Luarasi mos të kenë asnjë dyshim në suksesin e këtij fakulteti dhe pa hezitim ta zgjedhin Luarasin për të filluar studimet në muajin tetor. Po ashtu, ne kemi filluar dhe më një Akademi, Akademinë e Sigurisë Kibernetike, që është prapë një lajm shumë i mirë, jo thjesht për Universitetin Luarasi, por për vendin, ndoshta dhe për rajonin. Është një përpjekje gati njëvjeçare bisedimesh, debatesh, me një kompani nga më të mirat në Izrael, me reputacion ndërkombëtar, që ka rreth 15 mijë punonjës, që është një njësi elitare për të gjithë botën, për sistemet e mbrojtjes, por edhe të teknologjisë së informacionit. Përfundimisht ne i kemi mbaruar të gjitha diskutimet, kemi nënshkruar marrëveshjet dhe shpresojmë që më 4 tetor të hapim kursin e parë për sigurinë kibernetike. Qëllimi i këtij kursi është mbrojtja e sistemeve informatike, bankave, të gjitha institucione që kanë një bazë të dhënash, sepse ne e dimë që sot dëgjojmë shumë goditje që jepen nga hakerat në botë, në shtete shumë më të zhvilluara se ne. Kompania izraelite është një kompania lider dhe që ka studiuar të gjitha sulmet kibernetike që janë bërë në botë dhe këto përvoja kërkon t’i tregojë te kursantët, në një kurs që zgjat rreth 3 muaj dhe që në fund finalizohet me një diplomë që ka njohje ndërkombëtare.

Diploma merret, firmoset në mënyrë të përbashkët nga Universiteti Luarasi dhe kompania e Izraelit. Ata që mbarojnë këtë kurs kanë mundësi të japin provime të tjera dhe shanset për t’i marrë janë mbi 90%, për të marrë certifikata që quhen të arta, të argjendta, apo bronzi, që janë më të mirat në botë, të njohura nga SHBA, në Japoni, në Evropë, e kështu me radhë. Duhet të kujtojmë se Evropa ka shumë nevojë për specialistë për sigurinë kibernetike. Njoftimet e fundit që vijnë nga BE tregojnë se është një nevojë për mijëra e mijëra specialistë në fushën e sigurisë kibernetike. Për këtë arsye ne kemi insistuar të ecim me shpejtësi në këtë fushë, për t’iu shërbyer jo vetëm të interesuarve brenda Shqipërisë, por edhe vendeve të rajonit. Është herët ta themi, por synimi jonë është që të ftojmë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, e kështu me radhë. Kursi nis më 4 tetor dhe interesi është shumë i madh. Aq sa kemi parashikuar në numrin e kursantëve, ai është realizuar dhe tashmë është tejkaluar. Por kjo nuk do të thotë që do jetë një kurs i vetëm, kurset janë në vazhdimësi. Është një arritje për Luarasin, por edhe për vendin.

Është një Akademi e mirëfilltë brenda Luarasit, sigurisht infrastruktura nuk mungon..
Është një Akademi brenda Luarasit, asgjë nuk mungon. Të gjithë profesorët në fazën fillestare janë izraelitë. Më vonë do të ketë dhe profesorë të Luarasit, që do të përfshihen në këto leksione. Ata janë në fazën e trajnimit. Kjo është një arritje e suksesshme e Luarasit. Gjej rastin që të gjithë ata që janë të interesuar, të mos e humbasin këtë shans, për të bërë kursin e sigurisë kibernetike dhe të marrin një certifikatë, që me siguri do ju hyjë në punë.

Ata do të ndjekin një procedurë tjetër…?
Po, ka një procedurë tjetër. Ata do të kalojnë një test paraprak, për të parë nivelin e tyre para se të nisin kursin. Shpresoj që të gjithë ata që janë të interesuar, do ta kalojnë. Uroj që kjo të ecë, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe jashtë.

Përveç këtyre risive, ju i keni kushtuar rëndësi edhe gjuhës gjermane…
Po, sepse gjuha gjermane sot është një gjuhë e preferuar, një gjuhë e rëndësishme evropiane e një shteti të fuqishëm. Shikojmë që ka shumë interes. Në bashkëpunim me një agjenci që quhet “Dekra”, ne do të hapim kurse të gjuhës gjermane në Universitetin Luarasi dhe studentët tanë janë të ftuar, që përveç anglishtes, të bëjnë edhe gjermanishten. Këto kurse do të fillojnë me nisjen e vitit të ri akademik. Jam i bindur që do të jenë kurse të suksesshme, sepse kemi studiuar tregun dhe ka shumë interes.

Në fillim të tetorit nis ky vit i ri akademik?
Data caktohet nga Ministria e Arsimit, por besoj se do të jetë 15 tetori.

Nëse ne mund të listojmë disa avantazhe të tjera të Laurasit…
Nëse një sistem qëndron në vend, është i destinuar të shkatërrohet. Ai duhet të zhvillohet dhe të përshtatet me nevojat e ekonomisë së tregut. Luarasi dikur ishte kolegj, me dy fakultete, Juridikun dhe Ekonomikun, dhe para tri vitesh ne hapëm Fakultetin e Teknologjive të Inovacionit, Fakultet që rezultoi shumë i suksesshëm dhe se interesi për të po vjen vazhdimisht në rritje. Me hapjen e fakultetit të ri, Luarasi bëhet me katër fakultete. Me hapjen e Akademisë, pa dyshim që hedhim një hap tjetër, dhe jemi në kërkim të drejtimeve të tjera, që e zhvillojnë Luarasin. Sigurisht të gjitha këto gjëra nuk bëhen vetë, këto kërkojnë punë, vullnet, dije, përkushtim, sepse nuk duhet të ndërtojmë gjëra të gënjeshtërta, por duhet të ndërtojmë institucione të vërteta, të cilat sigurojnë besimin e publikut. Dhe Luarasi, në qoftë se ka një avantazh sot si një ndër universitetet më të mira sot në tregun e arsimit të lartë, ka pikërisht cilësinë dhe se diplomat e Luarasit janë shumë të vlerësuara në tregun e punës. Sipas studimeve që bëjmë ne, gati 80% e tyre fillojnë punë 6 muaj pasi marrin diplomën dhe kjo është një arritje shumë e madhe. Të gjitha universitetet japin diploma, unë nuk mund të paragjykoj asnjë, por vlera e diplomave nuk është e njëjtë, vlera e diplomave të Luarasit është vërtetë shumë e vlerësuar dhe se besueshmëria e publikut për një institucion është shumë e rëndësishme. Kjo gjë nuk arrihet lehtë, kjo arrihet me punë. Nëse nuk kemi kuptuar që gjëja kryesore që mban në këmbë një institucion dhe e bën të besueshëm për publikun, është cilësia. Shkolla ose është shkollë, ose është han. Luarasi është shkollë dhe ky është avantazhi i këtij institucioni.

Do ta vazhdoni bashkëpunimin me të huajt?
Po, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për një universitet. Shkëmbimi i përvojave, shkëmbimi i informacioneve pë kurrikulat, shkëmbimi i pedagogëve, organizimi i konferenca shkencore të përbashkëta, të gjitha janë shumë të rëndësishme. Pa këtë bashkëpunim, cilësitë e universitetit nuk mund të arrihen. Vitet e fundit, numri i marrëveshjeve që ka nënshkruar Luarasi, me universitetet e huaja, është rritur, falë dhe pranisë së kryetarit të Bordit të Universitetit Luarasi, ambasador Dashnor Dervishi, i cili falë njohjeve të tij të gjera diplomatike ka lobuar në mënyrë të shkëlqyer për ne akademikët dhe kemi nënshkruar shumë marrëveshje. Por, gjëja më e rëndësishme është fillimi i bashkëpunimit për diplomat e përbashkëta dhe kjo është një ambicie prezente tek Universiteti Luarasi. Ne jemi duke shkelur në këtë fushë, por jo thjesht për të dhënë një diplomë të përbashkët me një universitet çfarëdo, por synojmë të sigurojmë lidhje solide me një nga universitetet më të mira në botë. Nuk dua ta them emrin këtu, sepse jemi në biseda kofidenciale. Janë gati një vit negociata. Me universitete të tilla nuk është aq e lehtë të arrish një bashkëpunim. Ideja është se duhet të arrish në standardet e universiteteve të vendeve të zhvilluara dhe kjo është një ambicie shumë e madhe dhe për të arritur atje, është një barrë me punë. Ne kemi nënshkruar disa marrëveshje kofidenciale, presim mysafirë në muajin shtator për të parë Luarasin, çfarë i nevojitet, cfarë duhet të bëjmë për të rritur standardet, për të unifikuar ndoshta dhe kurrikulat në një kohë të dytë, me idenë që studentët tanë vitin e fundit mund ta bëjnë dhe në atë universitet dhe të marrin një diplomë ndërkombëtare. Kjo është një ëndërr e imja, është një ëndërr e Grupit Hysenbelliut, që e mbështeti shumë fort. Por, gjithçka fillon nga ëndrrat, fillon nga idetë. Neve vullneti nuk na mungon. Jam i bindur që ndoshta pas një viti ne mund ta arrijmë dhe këtë objektiv. Kjo do të jetë një gjë e rëndësishme, sepse Universiteti Luarasi nuk do të ishte thjesht një universitet për hapësirën shqiptare, por do të bëhej një pikë fokale në arsimin e lartë në arsimin e lartë për gjithë rajonin e Ballkanit. Ky është synimi ynë, ky është synimi i partnerëve tanë, dhe po punojmë fort që ta arrijmë dhe këtë objektiv.

Por jeni besimplotë se pas një viti këtë ëndërr do ta keni realizuar?
Patjetër, sepse deri tani ne nuk kemi gabuar askund. Çfarëdo gjëje që ne ja kemi vënë vetes për detyrë, e kemi realizuar, e kem realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe tani jemi në kohën që të gjitha këtyre projekteve t’iu japim jetë dhe t’i bëjmë realitet.

Çfarë synoni në afatshkurtër?
Synimi ynë afatshkurtër është jeta normale e universitetit në radhë të parë, kjo është gjëja më e rëndësishme. Kjo do të thotë që universiteti duhet të funksionojë si një shkollë e vërtetë. Që të funksionojë si shkollë, në radhë të parë është mësimi te studentët, kualiteti i mësimdhënies, zbulimi i aftësive dhe diferencave që kanë studentët mes tyre në fushën e inovacionit.

Në Shqipëri ne kemi studentë ekselentë, studentë shumë të mirë, por nuk i vëmë përballë sfidash për të parë fuqinë e tyre inovative. Për mua ky është një shqetësim. Ne e filluam këtë para dy vjetësh, por për fat të keq për shkak të pandemisë ne nuk arritëm që ta bënim këtë vitin e kaluar. Që do të thotë studentët mund të jenë të gjithë me 10-ta, mund të jenë me 9-ta, mund të jenë me 8-ta, por ne duhet t’i vëmë përballë situatash që kërkojnë zgjidhje që të shikojnë fuqinë e tyre inovative. Kur ne kemi realizuar këtë me mikro-projekt kemi parë që ka student të mrekullueshëm, studentë të cilët janë shumë inovativë dhe japin mendime të shkëlqyera për të zgjidhur situata të veçanta. Do të kisha shumë dëshirë sivjet, këtë vit të ri shkollor, nëse ai do të jetë normal, në universitet, nuk do jemi prapë online siç kemi qenë vitin e kaluar, kam shumë dëshirë që këtë frymë ta ushqejmë tek Luarasi dhe të bëhemi lider, t’i vëmë studentët përballë sfidave të reja në fushën e ekonomisë, në fushën e drejtësisë, në fushën e teknologjisë dhe informacionit. Le të kërkojmë prej tyre që t’i japin zgjidhje të reja, zgjidhje inovative, sepse shoqëria nuk mund të eci dot përpara pa zgjidhje inovative dhe këtë gjë ne duhet ta fillojmë që në shkollë. Ne kemi plot mekanizma për t’i nxitur studentët, për t’i stimuluar, për t’i vlerësuar përmes komisioneve që nuk na kushton që për t’i dhënë një letër mirënjohje një student që është inovativ dhe që ka dhënë ide të shkëlqyera për të zgjidhur gjëra që duken të vogla, por që janë në shërbim të publikut dhe shoqërisë shqiptare.

Sigurisht, sepse ju e motivoni kështu atë, edhe për atë që e pret nesër kur të ketë përfunduar studimet…
Dhe ajo që është kryesore është t’i japim jetë fakultetit të ri të Shkencave Mjekësore dhe ky është prioriteti im i parë i punës time si rektor, meqenëse ai fillon për herë të parë këtë vit. Dhe në duam që ai të jetë një fakultet lider, siç kemi edhe fakultetet e tjera dhe jam i bindur që këtë objektiv do ta arrijmë pavarësisht vështirësive të fillimit që ka. Edhe kur hap një aktivitet sado të vogël, një kioskë për të shitur gazetat apo për të shitur cigare, njerëzit kanë ato mëdyshjet e veta se si do të eci. Por ne nuk kemi gabuar se kemi bërë një studim tregu për fakultetin e ri të Mjekësisë. Kemi studiuar imtësisht burimet njerëzorë në fushën e mjekësisë, punonjësve të shëndetit, kemi studiuar sa e kanë këtë vend mjekë, infermierë mi dhe personel tjetër shëndetësor që është një shifër e paimagjinueshme dhe që ka krijuar një hendek shumë të madh për shëndetin në Shqipëri dhe veçanërisht nuk po flasim në qendrat e mëdha urbane, por në qendrat e largëta, periferike, rurale ku njerëzit janë në nevojë dhe ata kanë nevojë për shërbime shëndetësore. Mbi të gjitha unë kam sunduar mes maturantëve shqiptarë përmes takimeve që kam bërë drejtpërdrejt me ta. Sigurisht këtë vit i kam pasur mundësitë më të kufizuara për shkak të pandemisë, por kur nuk ekzistonte pandemia nuk jam lodhur të takoj gati të them edhe 70% të maturantëve të Shqipërisë drejtpërdrejt nëpër klasat e tyre duke filluar nga Saranda e duke përfunduar deri në Shishtavec të Kukësit.

E çfarë ju kanë referuar ata?
Ka qenë një bashkëbisedim fantastik për mua. Në fillim ka menduar që edhe për arsye të diferencave të moshave ndoshta nuk do të gjeja një auditor që do të më pëlqente shumë, por ndodhi e kundërta. Ka qenë një bashkëbisedim i shkëlqyer dhe një bashkëbisedim i shkëlqyer unë i them kur ju jeni në një sallë me të rinjtë dhe ata të ngulin sytë të gjithë, atëherë ti ke fituar mbi ta sepse u ke thënë gjëra interesante dhe ke pushtuar mendjen e tyre. Ky është një brez që do shumë dashuri dhe po nuk dhe dashuri nuk merr dot dashuri prej tyre. Kam zbuluar që gati gjysma e maturantëve në Shqipëri e kanë ëndërr të studiojnë në sferën e mjekësisë, të bëhen mjekë, të bëhen farmacistë, të bëhen stomatologë, fizioterapistë, infermierë dhe nuk kemi pse t’ua prishim këtë dëshirë dhe unë mendoj që Luarasi është një mundësi, sepse nuk jemi të vetmit, ka edhe universitete të tjera që kanë këto profile, por them që Universiteti Luarasi është një mundësi e re për maturantët dhe këtë e tregon edhe numri relativisht i lartë i maturantëve që kanë zgjedhur Universitetin Luarasi për të studiuar në fakultetin e ri të Shkencave Mjekësore. Jo vetëm kaq, por ka telefonata çdo ditë. Unë edhe sot kam pritur prindër tek Universiteti Luarasi të interesuar për këtë fakultet.

Ju i prisni vetë prindërit e maturantëve?
Po, unë i pres vetë. Pothuajse çdo prind që vjen tek Luarasi unë e pres. Pothuajse çdo maturant që vjen për t’u regjistruar te Luarasi unë e pres në zyrën time për t’i krijuar bindjen se çfarë përfaqëson Luarasi sepse nuk dua të ikin të dëshpëruar.

Po çfarë pyetjesh bëjnë ata kryesisht?
Ata bëjnë pyetje të pafundme. Janë në një fazë delikate për të zgjedhur të ardhmen e tyre profesionale. Unë e mirëkuptoj këtë gjë, unë jam një njeri që prej 50 vitesh punoj në universitet si lektor, si pedagog, kam jetuar me moshën 18-22 vjet dhe e di që zgjedhja e profesionit të së ardhmes me të cilin ne identifikohemi nuk është një gjë e lehtë dhe at mëdyshjet e tyre. Kanë zgjedhur shumë universitete, kanë zgjedhur shumë degë, tjetër gjë do prindi, tjetër gjë do nëna, tjetër gjë do tezja dhe shoku, etj., dhe unë mundohem t’u sqaroj se çfarë është një universitet i mirë. Mbi të gjitha maturantët shqiptarë duhet të shkollohen, kjo është shumë rëndësishme për ta sepse investimi 3 ose 5 vjet në shkollën e lartë është një investim për 50 vite të jetës dhe njeriu nuk mund të jetojë me dinjitet përveç dijes që merr në shkollat e larta dhe universitet. Për mua është shumë kënaqësi që takoj prindërit e maturantëve, që takoju prindërit e studentëve tanë sepse gati 70% të tyre i njoh në mënyrë të drejtpërdrejtë, i kam pritur dhe vazhdoj t’i pres çdo ditë dhe për mua kjo është një kënaqësi dhe në fund të fundit kjo është edhe puna jonë. Për mua është shumë e rëndësishme që profesorët e universiteteve para se të jenë inxhinierë, para se të jenë teknologë informacioni, ekonomistë, juristë, në radhë të parë duhet të jenë njerëz, në radhë të parë duhet të jenë mësues, duhet t’i njohin studentët, duhet t’i njohin profilin e tyre psikologjik, duhet të njohin nga vijnë, duhet të njohin interesat e tyre, nevojat e tyre, t’u falin dashuri sepse pedagogët nuk janë xhelatë, janë mësues, por janë edhe prindërit e tyre.

Mundohet ta transmetoj këtë shpirt dashurie tek Universiteti Luarasi. Nuk e di nëse ia kam arritur plotësisht por për mua ky është një objektiv që duhet ta kenë të gjithë profesorët për t’i motivuar studentët e tyre për t’u bërë njerëz të mirë. Nuk është e vërtetë që ka njerëz të këqij, ka student të këqij. Ne jemi ata që nuk ditë të punojnë mirë me ta. Përvoja na ka treguar që edhe ata që janë çapkënë apo që bëjnë ndonjë gjë të vogël nëse ti di të punosh ata bëhen njerëz të mrekullueshëm dhe përvoja ka treguar që janë bërë njerëz të mrekullueshëm në detyrat që kanë ushtruar mbas mbarimit të profesionit të tyre. Përfitoj nga rasti nëse kam edhe pak sekonda që t’ju bëj thirrje maturantëve shqiptarë, t’ju bëj thirrje prindërve të tyre, ata që kanë zgjedhur Luarsin në masë këtë vit të mos kenë asnjë hezitim për t’i lënë të gjitha të tjerat për të ardhur tek Luarasi. Unë jam i bindur që numri i studentëve tek Luarasi këtë vit akademik do të jetë më i lartë se vitet e kaluara.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb