Në kuadër të bashkëpunimit me McCain Institute, ‘Arizona State University’, universiteti “Luarasi” ka zhvilluar sesionin e radhës të trajnimit “Lidershipi i Udhëhequr nga Karakteri”. Megi Koçiaj, studiuese pranë King’s College në Londër dhe blogere e neuroshkencës, mbajti para studentëve leksionin me temë: Studimi i trurit mund të të bëjë një lider në çdo situatë”. I pranishëm në këtë bashkëbisedim ishte edhe anëtari i Institutit McCain Dael Dervishi i cili e vuri theksin mbi lidershipin e udhëhequr nga karakteri i ngritur mbi vlera.

Gjatë leksionit, Koçiaj iu shpjegoi studentëve se si mund të kuptojmë veprimtarinë e liderit në rrethana të caktuara nëpërmjet neuroshkencës. Ajo thotë se studimi i trurit është i rëndësishëm për formësimin e liderave të rinj dhe i vlerëson studentët e Luarasi si kritikë të mirë. Sipas studiueses së neuroshkencës, një mënyrë e mirë për të sjellë ndryshime progresive në Shqipëri është politika. Koçiaj këshillon të rinjtë që të bëhen pjesë e kësaj fushe, por duke ruajtur identitetin e tyre.

Ky program ka për qëllim krijimin e një kulture të re në përgatitjen e liderëve të brezave të ardhshëm, të cilët identifikohen nga karakteri i tyre, angazhimi për të shërbyer në një kauzë më të madhe se vetja, aty ku ka më shumë nevojë shoqëria.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb