Universiteti Luarasi udhëheq projektin e parë CORE-ED Academy, i cili ka si objektiv kryesor përmirësimin e sistemit të burgjeve për të miturit në Shqipëri dhe në rajonin e Ballkanit.
Ky projekt është i pari i këtij lloji në vend dhe në rajon, duke përfshirë sektorin akademik në mënyrë aktive në këtë fushë delikate dhe jetësore për të ardhmen e shoqërisë.
Projekti përfshin një rrjet të gjerë partnerësh nga universitete dhe institucione ndërkombëtare, të cilët sjellin ekspertizë të çmuar dhe përvojë praktike. Luarasi zhvillon sot një takim mbi zhvillimin e këtij projekti.
Mihal Pezeli, shef i politikave sociale në misionin e Bashkimit Europian, u shpreh se CORE-ED Akademy vë theksin në rëndësinë e integrimit të institucioneve për të rehabilitimin e të miturve, ndërsa shtoi se universitetet kanë potencial për t’u bërë vatra të impaktit social.
Zoti Pezeli shtoi se e rëndësishme është që me përfundimin e programit të ketë një bashkëpunim mes partnerëve ndërkombëtarë, universiteteve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë, në mënyrë që impakti të jetë edhe më i madh.
“I lumtur të ndodhem këtu e të shoh pjesëmarrjen në këtë event. Projekti që do të nisni flet për gjërat e reja në Shqipëri, CORE-ED Akademy vë theksin në rëndësinë e integrimit të institucioneve për të rehabilitimin e të miturve. Projekti bashkon shumë partnerë nga rajoni, dhe vjen në kuadër të Erasmus+. Programi Erasmus+ trupëzon vlerat e BE për të përfshirë demokracinë dhe fokusohet në të drejtat e fëmijëve që janë në konflikt me ligjin. Iniciativa lidhet dhe me prioritetin e qeverisë për të drejtat e të mitur, duke përfshirë edhe reformat e mëparshme sipas direktivave të BE.
Dua të theksoj se Universitetet kanë potencial për t’u bërë vatra të impaktit social. Me programe trajnimi forcohet sistemi i drejtësisë. Por të vetëm ju mund të bëni vetëm një lloj ndryshimi. Pasi të përfundohet programi, në mënyrë që impakti të jetë edhe më i madh, duhet një bashkëpunim mes partnerëve ndërkombëtarë, universiteteve dhe aktorëve të tjerë. Themelimi i qendrës kërkimore për Ballkanin dhe pedagogjinë korrigjuese, hap i rëndësishëm për të siguruar impaktin e iniciativës. Ju uroj një seminar të suksesshëm dhe ne si delegacion i BE mezi presim të dimë rezultatet e iniciativës edhe pse nuk jemi drejtpërdrejtë në proces”, u shpreh ai.
(BalkanWeb)