BULQIZE – Banorët që kalojnë me mjet mbi urën e Tre Çezmave të Zerqanit mbajnë frymën për pak sekonda derisa hidhen në anën tjetër.

Kjo urë mezi mbahet në këmbë, është harkuar frikshëm dhe vende vende vërehen plasaritje. Bazamenti i gërryhet nga prurjet e ujit sa herë ka rreshje. Shembja duket se do ndodhë sa herë që sipër saj kalon një mjet i tonazhit të rëndë.

Në 17 nentor të 2016 në këtë urë humben jetën tragjikisht në një aksident  dy  persona, si pasojë e mungesës së sinjalistikës dhe mbajtëses anesore të urës.

Ura nuk ka asnjë element sigurie duke bërë që rreziku të jetë evident në çdo kohë. Për banorët e kësaj zone, kjo urë quhet ‘ura e vdekjes’.

Jo vetëm ura por edhe rruga kërkon nderhyrje nga pushteti lokal. Prej kohësh një grumbull gurësh që ka rrëshqitur nga shpati qëndron stoik në mes të rrugës, duke i detyruar drejtuesit e mjeteve t’i bëjnë sytë katër kur kalojnë pikërisht në këto anë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb