“Enver Hoxha ka urdhëruar në fillimin e viteve ’80 arrestimin e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare”.

Përkundër këtij pohimi të Qemal Lames, njeriut që ka kryesuar Hetuesinë e Përgjithshme në atë kohë, Rrapi Mino, ishKryeprokurori i regjimit, dëshmon se nuk ka pasur një urdhër të tillë, së paku ai, siç shprehet, nuk ka pasur dijeni.

 

I kontaktuar nga “Panorama”, Mino thotë se në zyrën e tij, në atë periudhë për të cilën dëshmon Lame, nuk ka pasur asnjëherë një urdhërarrest për Ismail Kadarenë.

 

Sakaq, ish-Kryeprokurori nuk përjashton faktin që Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit të posedonin materiale komprometuese për Ismail Kadarenë, por që nuk morën kurrë rrugën e procesit penal, atribut ky i institucionit të akuzës.

 

I rezervuar për t’iu kthyer historive të kësaj natyre, Mino, përtej përgjigjeve telegrafike për gazetën, lë të kuptojë se Qemal Lame, ish-kreu i Hetuesisë së Përgjithshme, nuk është objektiv dhe i saktë në dëshmitë e tij, ndërkohë që shfaqet dyshues për takimet e këtij të fundit me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, me mendimin se për të tilla çështje delikate kishte të tjera mekanizma, ku peshën kryesore e luante Ministria e Brendshme.

 

Në fakt, edhe gjatë një interviste të gjatë që “Panorama” ka pasur para do kohësh me Rrapi Minon, ai nuk ka pranuar të flasë për çështjen Kadare, ndërkohë që nuk ka hezituar të tregojë shumë histori të tjera që kanë prodhuar tragjedi të shumta.

 

Për Kadarenë kanë qarkulluar zëra dhe atëherë, pohonte Mino, por e vërteta është se për të nuk pati kurrë një proces penal. Sipas tij, jo të gjitha problemet që diskutoheshin në Lidhjen e Shkrimtarëve apo aparatin e Komitetit Qendror të Partisë bëheshin objekt i punës së Prokurorisë së Përgjithshme, shumë prej tyre mbeteshin objekt i punës së Ministrisë së Brendshme dhe forumeve partiake.

 

Prokuroria, shprehet Mino, vihej në lëvizje e fundit, që aty pastaj niste procesi që finalizohej me ndëshkime të ndryshme sipas fajësisë së legjislacionit të kohës. Po si u përgjigj ishKryeprokurori lidhur me dëshminë e Qemal Lames për urdhrin e Enverit për arrestimin e Kadaresë…..

 

Zoti Mino, ju keni qenë Kryeprokurori i fundit dhe më jetëgjatë i regjimit komunist. Qemal Lame, ishkryehetuesi i asaj periudhe, në librin e tij të fundit ka shkruar se Enver Hoxha në vitin 1982 kishte urdhëruar arrestimin e Ismail Kadaresë, a keni pasur ju dijeni për këtë çështje?

 

Unë dua të shoh librin e Qemalit një herë. Të shoh me sytë e mi çfarë shkruan ai aty.

 

Ai dëshmon se është thirrur drejtpërdrejt nga Enver Hoxha dhe Ramiz Alia për këtë punë…

 

Nuk di gjë kush e ka thirrur dhe pse…

 

Ju ishit Kryeprokuror dhe urdhri i arrestit do vinte te ju për t’u firmosur, siç ishte rregulli i kohës.

 

Mua nuk më ka ardhur ndonjë urdhër arresti për Kadarenë…

 

Qemal Lame pohon sakaq se për Kadarenë ka pasur dhe një dosje të Sigurimit, i cili e ndiqte kudo…

 

Këto ishin punët e Ministrisë së Brendshme, po unë nuk di që të ketë pasur një dosje të tillë.

 

Keni dëgjuar në atë periudhë se Enveri kishte porositur autoritetet për të përgatitur dosjen e arrestimit të Kadaresë?

 

Jo, jo, nuk kam qenë në dijeni. Ka një kohë të gjatë kjo që flitet, po unë duhet t’i thërras kujtesës.

 

Me një fjalë, zyrtarisht nuk keni ditur gjë, por keni dëgjuar për tentativën e Hoxhës për arrestimin e Kadaresë…

 

Nuk thashë këtë.

 

Po Ramiz Alia, ju ka thërritur ndonjëherë në zyrë për Kadarenë?

 

Jo, jo, nuk më ka thirrur.

 

As Enveri?

 

Asnjëherë për Kadarenë.

 

Ka qenë në ndjekje Kadareja me sa dijeni keni ju?

 

Nuk e di, nuk kam qenë ministër i Brendshëm. Me ndjekjen merrej ministria dhe unë vetëm vihesha në dijeni për materialet.

 

Ju kanë vënë në dijeni se Sigurimi kishte një dosje për Kadarenë. Ju kanë sjellë ndonjë material komprometues për Ismailin?

 

Jo, jo, nuk ka pasur.

 

Flitet se ka pasur, por Enveri e ka tërhequr më vonë urdhrin për arrestimin e Kadaresë.

 

Ndoshta, po unë për vete nuk di gjë. Më duhet të njihem konkretisht me ato që dëshmon Qemal Lame në libër, t’i shoh me sytë e mi për çfarë bëhet fjalë.

 

Prej disa ditësh, “Panorama” boton pjesë të dëshmive të Lames për këtë çështje.

 

Nuk i kam lexuar, pastaj në këtë moshë nuk merrem me gazeta.

 

Ju keni punuar disa vite me Qemal Lamen, e keni mik sot, keni kontakt me të?

 

Jo, jo, nuk kam asnjë kontakt me të. Mund të ketë 20 vjet që nuk jemi takuar.

 

Ai pohon se ju ka sjellë në zyrë urdhrin për Kadarenë….

 

Çfarë thotë ai është tjetër punë.

 

Është e vërtetë apo jo?

 

Nuk ka pasur urdhër për arrestimin e Kadaresë në zyrën e Prokurorisë.

 

***

 

Kryeprokurori që drejtoi proceset më të bujshme të regjimit komunist

 

Rrapi Mino e ka nisur karrierën si prokuror në mesin e viteve ’50 dhe e ka mbyllur atë në vitin 1990 në kolltukun e kreut të Prokurorisë së Përgjithshme. Fillimisht ka punuar si prokuror i thjeshtë në Rrethin e Fierit e të Lushnjës dhe më vonë në Prokurorinë e Përgjithshme.

 

Për disa vite pastaj ka punuar në aparatin e Komitetit Qendror, me detyrën e ndihmësit për çështje juridike të Hysni Kapos, asokohe Sekretar i KQ dhe numri dy i Partisë Komuniste. Në vitin 1982 e deri në fund të karrierës ka ushtruar funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm.

 

Njihet si prokurori që ka drejtuar proceset më të bujshme të regjimit komunist dhe që ka dhënë ndëshkimet me vdekje për 10 ish-anëtarë të Byrosë Politike dhe funksionarë të lartë të shtetit komunist. Fillimet e viteve ’90, nga karrigia e kreut të akuzës e gjetën në bankën e të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, për të cilat u dënua me disa vite heqje lirie.

 

Tani në moshën 90-vjeçare, kur ka lënë prapa bëmat e detyrës së hershme dhe vitet e jetës nën akuzë për gjenocid, rropatet në ritualin e zakonshëm në shoqërinë e një grupi të njohurish e ish-kolegësh që rrallohen dita-ditës, pa dashur t’u kthehet kujtimeve, as atyre të dikurshme kur shkëlqente në karrierë dhe as atyre të mëvonshme, kur përpëlitej në qeli si i dënuari VIP në Shqipërinë e postdiktaturës.

 

Është shumë i rezervuar ndaj medias dhe shumë rrallë komunikon me gazetarët. Si ish-zyrtar i lartë i regjimit komunist nuk ka kërkuar falje për krimet e diktaturës dhe as për vendimet fatale që ka firmosur.

 

“Nuk kam gjykuar të kërkoj falje, por shpreh keqardhjen time për familjarët e viktimave”. Kjo është përgjigjja e ish-Kryeprokurorit për “Panoramën” për rolin në tragjeditë e shkaktuara me firmën e tij në proceset e tmerrshme, që kanë çuar para skuadrës së pushkatimit dhjetëra njerëz. E shprehur kësisoj, kjo qasje e Rrapi Minos, më shumë se për të qenë në paqe me veten, është një mënyrë justifikimi e tipit “Ashtu ishte koha, ashtu ishte ligji”.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb