Kryeministri Edi Rama u është drejtuar me kritika kryebashkiakëve, gjatë mbledhjes që po zhvillon këtë paradite në Pallatin e Kongreseve.

Sipas Ramës, bashkitë duhet të bashkëpunojnë me kompani ndërtimi dhe të ndërtojnë banesa sociale, në mënyrë që të pastrehëve të qyteteve t’u jepet zgjidhje, dhe nga ana tjetër me shitjen e apartamentet mblidhen fonde për bashkinë.

“Bashkitë i kanë të gjitha mundësitë që të ndërtojnë dhe krijojnë shumë më tepër shanse për njerëzit që kanë nevojë për strehim, por njëkohësisht të fitojnë para për buxhetin e tyre.

Më thoni një bashki që ndërton në funksion të strehimit në Shqipëri? Nuk ka!

Nuk mundet qeveria të jetë përgjigja për çdo nevojë, dhe s’ka pse oportunitete që janë për tu shfrytëzuar të mos shfrytëzohen në sektorin bashkiak, nuk ka arsye!

Rolin e zhvilluesit e luajnë shumë investitor që s’kanë fare kompani ndërtimi, dhe marrin kompanitë e ndërtimit dhe zhvillojnë pronat, pse mos ta bëjnë bashkitë këtë? Çfarë i pengon? Dhe ndërkohë me një gur vrasin dy zogj. Krijojnë oportunitete të reja për të pastrehët e tyre dhe nuk rrinë të presin nga enti i banesave ne Tiranë, dhe nga ana tjetër shesin për të mbledhur të ardhura.

Pse mos bëhet kjo? Urdhëroni, jeni këtu, mi thoni?”, u shpreh Rama.

Më tej ai tha se problematikë ka edhe në menaxhimin e prodhimeve bujqësore, ujit, dhe shërbimeve online.

“Sa janë pikat e grumbullimit dhe të shpërndarjes, me pjesëmarrje bashkiake? Sa nga ju dhe cilët kanë shfrytëzuar fondin e garancisë sovrane për bujqësinë, si katalizator për të adresuar nevoja të fermerëve në zonat tuaja? Pa pritur që këto t’i zgjidhë investitori provat, që është i mirëseardhur por nuk vjen gjithmonë atëherë kur duhet.

Sa herë e kemi përsëritur këtë gjë?!

Për të ardhur tek një tjetër gangrenë, që është uji. Pse duhet që ballafaqohemi me ndasira zona të caktuara në kushtet kur bashkitë në pjesën e konsiderueshme nuk bëjnë detyrën, por bashkëjetojnë me thellimin e borxheve, me abuzimin e kësaj pasurie në emër të konfortit elektoral. Dhe kështu kjo pasuri nuk shkon as aty ku duhet të shkojë dhe prodhon vetëm borxhe.

Pa folur për shërbimet e tjera, pastrimin, transportin publik, që janë shërbime jo të lehta për tu organizuar, dhe në të gjitha këto kemi mundësi të shikojmë që s’po flasim për gjëra të pabëshme ose që askush nuk i ka bërë, përkundrazi!

Pse duhet të jetë qeveria kampione në digjitalizimin e shërbimeve, pse mos të jenë bashkitë?

Në të gjithë botën ndodh e kundërta… sektori privat, pushteti vendor dhe pastaj qeveria qendrore, këtu qeveria qëndrore ka bërë një revolucion me shërbimet, tani ka kuptim që shërbimet publike, bashkiake, me dokumente, të vazhdojnë të epën me letra dhe mos jenë online? Ka kuptim që bashkitë të jenë të prapambetura, ndërkohë që jeni ju të parët që duhet të jeni më të interesuar…”, tha kreu i qeverisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: